Qeveria depoziton projektligjin në Kuvend, BERZH i jep 70 mln euro hua OSHEE-së

OSHEE do të marrë 70 milionë euro kredi nga BERZH për të mbuluar pasojat dhe efektet negative të pandemisë Covid-19. Huaja që po merr OSHEE nuk është për të përballuar impaktin e krizës globale energjetike.

Marrëveshja për huanë është nënshkruar më 8 shtator dhe pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të projektligjit.

“Marrëveshja e huas dhe marrëveshja e garancisë, që janë nënshkruar me BERZH-n më 8.9.2021, kanë si qëllim sigurimin e fondeve në formën e kredisë me terma të favorshëm, për të mbështetur kompaninë për sigurimin e stabilitetit ekonomiko – financiar, në vlerë të përgjithshme deri në 70 000 000 euro”, thuhet në relacionin e projektligjit të depozituar në Kuvend.

OSHEE përmes kësaj huaje të marrë nga BERZH siguron financa për të përballuar efektet negative q shkaktoi shpërthimi i pandemisë Covid-19.

“Shoqëria OSHEE gjatë vitit 2020 është përballur jo vetëm me situatën e thatësirës së jashtëzakonshme, por kësaj situate iu shtua dhe situata e COVID-19, e cila pati efekte shtesë negative në financat e OSHEE Group, sh.a.-së, duke e përballur shoqërinë me një situatë të paimagjinueshme më parë. OSHEE Group, sh.a.-ja, ka marrë menjëherë masa të jashtëzakonshme për përballimin e situatës, duke pezulluar totalisht planin e investimeve për vitin 2020. Por këto masa zgjidhin situatën momentale të OSHEE-së për tejkalimin e situatës, por dhanë pasoja të rënda në stabilitetin teknik e financiar, si dhe arritjes së treguesve të saj, bazuar në planin e konsolidimit financiar të sektorit”, thuhet në relacion.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment