Një vit nga vrasja e Klodian Rashës/ 10 vite burg, një dorëheqje dhe drejtësi zhgënjyese për familjen

0
169

Më 8 Dhjetor 2020, i riu Klodian Rasha u ekzekutua pak pas mesnate në afërsi të banesës së tij në zonën e Laprakës nga efektivi i i policisë Nevaldo Hajdaraj, pasi ky i fundit e ndoqi për ta ndëshkuar për shkeljen e orës policore të vendosur në kuadër të kufizimeve të Covid-19.

Hajdaraj bashkë me efektivin që e shoqëronte në turnin e punës, i bënë thirrje Klodianit të ndalonte, por ai u frikësua dhe iku me vrap. Hajdaraj e ndoqi të riun dhe kur arriti në një pikë të afërt e qëlloi me armë.

Pas orë pas ekzekutimit, Policia e Shtetit raportoi se i riu ishte i armatosur dhe efektivi e ka qëlluar për vetëmbrojtje. Familjarët e Klodianit e hodhën poshtë hipotezën, me argumentin se i riu kishte dalë për të blerë cigare. Ekspertët gjetën në vendin e ngjarjes një armë tip pistoletë, por që rezultoi s nuk i përkiste 25-vjeçarit.

Klodian Rasha mbërriti pa shenja jete në spital. Plumbi që kishte marrë në kokë i shkaktoi vdekje të menjëhershme.

Pas verifikimit të provave materiale në vendin e ngjarjes, përfshirë këtu edhe pamjet filmike, SHÇBA doli në konkluzionin se Hajdaraj “bie në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit dhe se nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.”

Ndryshimi i akuzës nga Prokuroria

Më 16 Dhjetor, Prokuroria njoftoi ndryshimin e akuzës për efektivin Nevaldo Hajdaraj, nga “vrasje në tejkalimin e kushteve të mbrojtjes” në “vrasje me dashje”.

Pas daljes së pamjeve filmike nga momenti i vrasjes, prokuroria njoftoi s ekishte një panoramë më të qartë të ngjarjes së 8 Dhjetorit. Sipas Prokurorisë efektivi Nevaldo Hajdaraj, ka qëlluar sistematikisht mbi të riun, duke u pozicionuar, sikurse dëshmohet edhe nga kolegu i tij natën e ngjarjes. Ndryshimi i akuzës vjen “për shkak se efektivi ka qëlluar dy herë me armë zjarri mbi të riun.”

Në 14 korrik, gjykata e dënoi efektivin me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Hajdaraj u dënua përfundimisht me 10 vite burgim. Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar për efektivin 20 vite burg.

Protesta e të rinjve

Vrasja e 25-vjeçarit ngjalli reagime edhe nga opinioni publik. Mijëra të rinj marshuan në rrugët e Tiranës për të kërkuar drejtësi për Klodianin.

Protesta të shumta u zhvilluan në kryeqytet dhe jo vetëm. Më 9 Dhjetor, protesta kulmoi me goditjen e dhunshme para dyerve të Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Të rinjtë qëlluan në drejtim të godinave qeveritare, shkatërruan tabelat e sinjalistikës rrugore, semaforë, tabelat e reklamimeve, dogjën koshat e mbeturinave dhe u ‘përleshën’ me efektivët e policisë që qëndronin para godinave qeveritare.

Dorëheqja e Sandër Lleshajt

Dy ditë pas vrasjes së Klodianit, ministri i Brendshëm asokohe Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.

Me një postim në Facebook, Lleshaj u shpreh se pavarësisht karrierës së tij dhe posteve të marra ndër vite, kishte ardhur koha që ‘dilema’ e tij të merrte fund dhe të dorëzonte postin. “Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar”,  shkruante Lleshaj.

Familja e Klodianit kërkon drejtësi

Ka kaluar një vit dhe babai i Klodian Rashës, nuk ka gjetur dejtësi për birin e vet. Qazim Rasha ka qenë sot në sheshin ‘Skënderbej’ ku janë zhvilluar homazhe në kujtim të të riut.

Në një deklaratë për mediet, Qazim Rasha u shpreh se shteti duhet të gjejë vend për drejtësi, teksa përcolli mirënjohjen e tij për të gjithë ata persona që i kanë qëndruar afër në momentin e vështirë.

“Lus Zotin që të tilla tragjedi të mos ekzistojnë në asnjë bend të botës. Mua më plagosi shpirtin më ndau zemrën. Kam kërkuar që këto lloj plage, këtë tragjedi të mos i imagjinojë askush. Në 2021 të tilla tragjedi të mos i ketë asnjë lloj kombi. Dua të shpreh mirënjohje për secilin që ka shpreh interes ndaj familjes time. besoj që nuk ka qenie njerëzore që imagjinojë që një nënë një baba aq më tepër një malësor si puna ime, të imagjinojë të shesë dhe të blejë gjakun e fëmijës. Ja kërkoj shtetin që përbaltjen e djalit, inkriminim dhe personin që vendosi armën ta gjejë, sa unë nuk kam vendos akoma për ta kërkuar dhe për ta gjetur vetë”, u shpreh babai i Klodianit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here