Publikohen pagat e mbi 630 mijë qytetarëve, Prokuroria nis hetimet

0
194

Opozita dhe Presidenca kanë denoncuar publikimin e të dhënave të pagave dhe vendeve të punës të 637 mijë e 138 qytetarëve shqiptarë e të huaj që jetojnë në Shqipëri.

Fillimisht informacioni ka qarkulluar nëpër mediat sociale dhe bëhet fjalë për një databaze ku ndodhen të dhënat për pagat e qytetarëve.  

Për nënkryetarin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj kjo skemë është paralele me atë të patronazhistëve teksa akuzon si përgjegjës kryesor kryeministrin Edi Rama.

Edhe Presidenti Ilir Meta thotë se skandali pason atë të patronazhistëve dhe e konsideron akt kriminal duke kërkuar nga agjencitë ligjzbatuese të veprojnë menjëherë.

Ndërkohë burime bëjnë me dije se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për këtë çështje.

Në muajin prill të këtij viti, disa ditë para zgjedhjeve në media qarkulloi lista me të dhënat personale të mbi 910 mijë qytetarëve e cila u ashtuquajt më pas si ‘skema e patronazhistëve’ të Partisë Socialiste.

Shkruaj nje koment