Presidenti Ilir Meta deklaroi se ka filluar procedurat për t’i dhënë zgjidhje mungesës së kryetarëve në disa bashki të vendit.
Duke theksuar se “palët që duhej të zgjidhnin çështjen nuk po bëjnë asnjë lëvizje”, Meta tha se ka kërkuar informacion nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për bashkitë që nuk kanë kryetar, në mënyrë që të plotësohen përmes zgjedhjeve.
Në letrën drejtuar Celibashit, presidenti shkruan se situata e ushtrimit të pushtit ekzekutiv në pushtetin vendor, është absurde dhe krijon mundësi për abuzim me pushtetin publik.
“Edhe pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili për shkak të deklarimit të mungesës së juridiksionit kushtetues, në thelb nuk krijon ndonjë detyrim për veprim për asnjë institucion, sërish situata e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv në pushtetin vendor është absurde, e ku disa bashki të vendit qeverisen pa kryetar, duke krijuar kështu shteg për mungesë përgjegjësie, abuzim me pushtetin publik, dhe në mos ofrimin cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve banorë të atyre njësive të qeverisjes vendore“, citohet nga letra.
Meta kërkon në letër, cilat bashki aktualisht janë pa kryetar, shkaku përmes të cilit është realizuar përfundimi i mandatit të tyre. Në konferencën e sotme, Meta e quajti të pavend faktin që disa nga bashkitë e vendit nuk kanë një subjekt në krye që i udhëheq.
“Kush janë saktësisht ato Njësi të Qeverisjes Vendore (Bashki), në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019 – Janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit tuaj Kryetarëve të Bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme? Cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm i mandatit dhe për plotësimin e të cilave është i nevojshëm organizimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë?”, shkruhet ndër të tjera në letër.
Bashkitë pa kryetar:
Shkodër, pasi Valdrin Pjetrin e kapi dekriminalizimi
Vorë, pasi Agim Kajmakun e dogji dekriminalizimi
Durrës, sepse Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit
Rrogozhinë, sepse Haxhi Memolla ndërroi jetë
Dibër, sepse Dionis Ymeri dha dorëheqjen të kandidonte për deputet
Lushnjë, sepse Fatos Tushe u shkarkua nga Rama pas arrestimit për korrupsion.