Vokshi: Nuk kemi punë me Lulin por me partinë. Strukturat e saj duhet të mbeten dhe të luftojnë për veten!

Nga Indrit Vokshi

Ja doli edhe Luli në bazë. Më në fund.

Kërkonin të dilte në bazë. Thonin dil në bazë po ta mbajti, nuk e pret njeri në bazë, nuk mbush dot sallën etj.

Doli dhe po u mbushkan sallat. Nuk paska ndryshuar gjë?

Luli nuk ka njerëz të vetët. Ta sqarojmë një herë e mirë ketë.

Se ska qenë kryeministër. As ka emëruar 50 drejtorë të përgjithshëm, as 500 drejtorë qarqesh, as 1000 drejtorë rrethesh.

Nuk ka ndarë pushtet që t’i shkojnë për detyrim personal. Nuk ka bërë njerëz rehat që t’i jenë mirënjohës. Për më tepër, më e rëndësishmja, Luli nuk ka fituar ndonjëherë zgjedhje të përgjithshme që të krijojë simpatizantë të tijët.

Po pse e presin njerëzit? E presin si Lul? Jo. E presin sepse është kryetari i PD-së. Njerëzit që e presin janë të Partisë Demokratike, jo shokë të Lulit. Kjo parti tashmë, pas 30 vitesh, është realitet politik, ka njerëzit e saj, pavarësisht kush është kryetar. Është krijuar ky bazament.

Në fillim, revolucioni i vonuar ngriti akuzën se ata të cilët presin Lulin nuk janë demokratë, janë socialistë ose i shërbejnë Ramës. E panë se kjo nuk ecte sepse nëpër pritje shfaqeshin qartësisht demokratët.

Sot më bëri përshtypje pankarta: “Lulzim Brava, mjaft mashtrove demokratët e pastër”. Pra nga socialistë të cilët ia jep Rama, tani na dolën demokratë të pastër por të mashtruar nga Luli. Ndryshoi loja. Brava mbeti gjithsesi. (Le t’i heqë bravat t’i bëjë dyert ne sensor me kartë si në hotele se kjo brava do e ndjekë.)

Në realitet njerëzit që e presin nuk janë as socialistë as të mashtruar, as shërbëtorë të askujt. Janë njerëzit e partisë të cilët e shohin të pafrytshme dhe pa ardhmëri mësymjen e Berishës. Kaq është e gjitha.

As nuk kanë të drejtë ta shohin me dyshim lëvizjen e Berishës? Kanë. A duhet patjetër t’i bashkohen atij? Jo. A përcaktohet qenia demokrat me besnikërinë personale ndaj Berishës? Kurrsesi. Prandaj mblidhen njerëzit.

Partia Demokratike u krijua në vitin 1990 si lëvizje e shumicës anti-sistem. Nuk ishte vepër personale e Sali Berishës. Ishin qindra e mijëra njerëz.

Në politikë duhet të bindësh njerëzit që të bashkohen me dëshirë. Nëse mendon se me sharje mbarë e mbrapsht, me akuza se ata që nuk binden sjanë demokratë të vërtetë, me anathema se ata që nuk bashkohen me synimet tuaja po mbrojnë pengun e po i shërbejnë Ramës dhe, me tentativa për t’i kompleksuar duke i paraqitur sikur po bëjnë krim kundër njerëzimit vetëm se nuk përkrahin një lëvizje, nuk arrihet sukses.

Pasi u shua propaganda se Luli nuk del në bazë, ka nisur tjetra, komente e statuse: do e shohim me 6 mars.

Çfarë do të shohim me 6 mars? Do të bashkohen me Ilir Metën për të nxjerrë PD-në humbëse? Do të kandidojnë me të pavarur për t’i hequr PD-së vota?

A e kuptojnë se nëse punojnë për kandidat tjetër kundër PD-së, degradojnë si çdo lëvizje inatçare prej tek Pollo në 1999 e deri tek Topalli zgjedhjet e fundit? Edhe ata, njëlloj si disa nga këta miqt tanë, thonin “ne jemi PD-ja e vërtetë, jo ajo e Berishës apo e Bashës.” Iu kujtohet?

A e kuptojnë se nëse punojnë kundër PD-së me 6 mars, mund të quhen njerëz të mirë, qytetarë të mirë, mund të quhen votues por jo njerëz të Partisë Demokratike?

Nuk kemi punë me Lulin. Kemi punë me partinë. Lulët vijnë e shkojnë, partia dhe strukturat e saj duhet të mbeten dhe të luftojnë për veten, për stablitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre, për reformimin dhe përsosjen e tyre gjithashtu. PD-ja ka njerëz dhe i ka kapacitetet për të qenë instrument politik i shoqërisë shqiptare.

Si qytetar pa parti, gjithkush mund të punojë për cilin të ketë dëshirë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment