Policia ka gjetur një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një magazinë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.
Magazina ndodhej pranë fshatit Nivicë, Sarandë. Në pranga kanë rënë dy punonjës të OSHEE-së, V. S., 57 vjeç, me detyrë elektricist pranë dhe G. H., 61 vjeç me detyrë faturist.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në zonën që ata kishin në monitorim.
Ndërsa në kërkim është shpallur pronari dhe kontraktori i magazinës. Mbi K. O. pronarin e magazinës dhe K. M., i cili kishte marrë më qira ambientet rëndojnë akuzat për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Policia ka sekuestruar 50 llamba elektrike, 100 bimë kanabis të kultivuara në kubikë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.