Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama, se udhëton me charter privat. Ai tha se Rama dy ditë me parë ka shkruar drejt kryeqyteteve luksoze të botës me charter privat, ku vetëm karburant ka shpenzuar 150 mijë euro.
Më tej duke u ndalur tek afera e inceneratorëve, që për kryedemokratin është afera e shekullit, Basha deklaroi se ndonëse dje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy pjesëtarë të kësaj afere, qeveria vazhdon të paguajë skenat e krimit.
Ku është kryeministri? Para dy ditësh shkoi e erdhi me charter privat. Harxhoi 150 mijë euro karburant që kushton në charter privat. Rama shkon e vjen me një charter luksoz, në Paris dhe në Mynih. Kur vjen puna për të dalë para shqiptarëve nuk është. Me siguri do të vijë përgjigja është me takime të rëndësishme. Në cilin vend të botës kryeministri lëviz me charter privat në kryeqytet luksozë të botës. Qeveria e Edi Ramës është qeveria me e korruptuar e botës, kështu tha raporti i TI. Kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, nuk e dimë ku është. Me cilin vend të Evropës, mos të them të botës, në 2022, mungon transparenca minimale për shpenzimet marramendëse qeveritare të një populli që është në varfëri të thellë.
Ndershmëria, paligjshmëria, largimi i çdo shërbimi nga qytetarët, çështja e institucioneve për t’i shërbyer qytetarëve dhe kthimi i tyre në duart e një grushti njerëzish, këto nuk janë fjalët e opozitës, por janë të vërteta të pamohueshme, me të cilat çdo njeri në marrëdhënie pune, çdo i papunë, çdo sipërmarrës, çdo fermer, çdo student e pensionist, përballet çdo ditë. Korrupsioni është armiku i përditshëm. Korrupsioni ka shkatërruar institucionet, ka deformuar vendimmarrjen, ka shkatërruar tregun, ka penguar avancimin në rrugën drejt BE.
Shikoni vetëm ngjarjet e javëve të fundit. Shikoni faktet që ka depozituar PD për check-up e famshëm, që vazhdon si një hemorragji dhe nuk ndalet as në kohë pandemie. Shikoni raportimin e përditshëm të tenderave në ARRSH. Për të ardhur tek afera e shekullit, inceneratori, që kanë shkrumbuar e shkrumbojnë paratë e shqiptarëve. Ndërkohë që dje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy pjesëtarë të kësaj afere. Një ditë përpara e kam paralajmëruar disa herë që do të zhduken, do të shkojnë në arrati, se dinë shumë, dhe dinë ato që s’duan t’i dinë, tani janë në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që ata janë në kërkim ndërkombëtar, kjo qeveria vazhdon të paguajë skenat e krimit.