86 vjetori i lindjes/ Gjinushi: Kadare, shkrimtari më i rëndësishëm i pesë shekujve të historisë së letërsisë shqipe

0
53

Akademia e Shkencave e Shqipërisë për nder të 86-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, ka organizuar sot një veprimtari shkencore-promovuese në ditëlindjen e shkrimtarit dhe akademikut Kadare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi e cilësoi sot Ismail Kadarenë si shkrimtarin më të  rëndësishëm të pesë shekujve të historisë së letërsisë shqipe, prej fillimeve të saj deri më sot.

Në fjalën e tij në një veprimtari shkencore-promovuese me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, e cila u drejtua nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho, dr. Ylljet Aliçka, Gjinushi tha se “Ismail Kadare është personaliteti shqiptar më i certifikuar me tituj shkencorë, intelektualë e moralë në Evropë e në shkallë globale në kohën e sotme”.

“Meritat letrare të Ismail Kadaresë janë të shpallura edhe në kryeqendra të tjera të letërsisë dhe kulturës botërore, që nga Franca deri në Korenë e Veriut, që nga SHBA e Spanja deri në Jeruzalem”, tha Gjinushi.

Kryetari i Akademisë e vlerësoi figurën e Ismail Kadresë si përfaqësim ndërkombëtar të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve në shkallë botërore.

Studiuesi francez Jean-Paul Champseix kujtoi periudhën kur jetonte në Shqipëri ku nisi kërkimin për elementët e veçantë të krijimtarisë së veprës së Ismail Kadaresë.

“Ideja për të parë mënyrën se si pritej vepra më erdhi kur punoja në Universitetin e Tiranës dhe në të njëjtën kohë lexoja Kadarenë. E pyesja veten se çfarë mund të mendonte vallë lexuesi shqiptar. Dhe natyrisht nuk kisha se si ta dija”, tha ai.

Ndërsa theksoi sesi e prezantoi librin në Francë duke e lexuar më parë në kontekstin letrar dhe historik në të tashmen e regjimit të Enver Hoxhës dhe egërsinë e tij totalitare, studiuesi francez e cilësoi veprën e Kadaresë, duke iu referuar “Pallatit të ëndrrave” si një bombë për diktaturën.

“Për Kadarenë, rreziku nuk është shumë i madh, sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizoj atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj”, u shpreh ndër të tjera studiuesi francez Jean-Paul.

Shkruaj nje koment