“Siguria” e miraton, çfarë parashikon marrëveshja për qendrën e përbashkët policore dhe doganore Shqipëri-Greqi

Në Komisionin për Sigurinë Kombëtare është miratuar projektligji, që parashikon ngritjen e një qendre të përbashkët policore dhe doganore me Greqinë.

I pranishëm në mbledhje ishte zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila, i cili ka treguar më shumë detaje nga marrëveshjes mes dy shteteve. Mahila bëri me dije se është përcaktuar që secila palë të ketë nga pesë zyrtarë.

Ai shtoi se shteti shqiptar do të ketë një punonjës policie me gradën nën komisar dhe katër efektivë me gradën inspektor.

“Kjo qendër është përcaktuar të ketë në mënyrë të barabartë pesë zyrtarë nga secila palë. Nga pala jonë është përcaktuar një punonjës policie me gradën nën komisar dhe katër punonjës policie me gradën inspektor”, u shpreh ai.

Zv.ministri nënvizoi se qendra e përbashkët policore dhe doganore do të shërbejë për shkëmbimin e informacionit për çështhe të përbashkëta që lidhen me krimin, trafikun e drogës, emigracionin e paligjshëm, etj. 

Ai sqaroi se qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës dhe kjo nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e policore.

“Funksionimi i kësaj qendre nuk do sjellë mbivendosje me organet doganore policore pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të palëve ndërmjet shkëmbimit të informacionit. 

Kjo është qendër e përbashkët e shkëmbimit dhe analizimit të informacionit. Trajton të gjithë çështjet dhe elementët që janë të ngjashme për të gjitha kalimit kufitar. Nuk është qendër e kalimit të përbashkët të mjeteve e mallrave. Shkëmbim informacioni për çështje të përbashkëta”, tha zv.ministri.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment