PD Tepelene ne 31 vjetorin e themelimit te saj

Nga Roland Bejko

31 vjet më parë demokratët e Tepelenës themeluan degën e PD-së në zemër të komunizmit, ose siç njihej ndryshe, në zemër të “zonës së parë operative”.

Së bashku me anëtarin e kryesisë së PDSh pedagogun Fitim Zekthi, me anëtarin e Këshillit Kombëtar dhe ish kandidatin për deputet Profesor Myzafer Elezin, si dhe me njërin prej themeluesve të kësaj dege e njëherësh ish kryetarin për disa vite të saj Doktor Çotin në një ambient miqësor, u bashkuam sot me demokratët e Tepelenës, ku takuam e ndamë bisedat tona me ish themeluesit, me anëtarët, me drejtuesit dhe ishdrejtuesit në vite të kësaj Dege.

Ne u shprehëm atyre mirënjohjen tonë më të thellë për aktin e guximit dhe sakrificave të themeluesve të PD Tepelenë, për ato zonja dhe zotërinj të nderuar, intelektualë, qytetarë, të rinj e të reja të të gjitha krahinave përreth, që të etur për liri dhe demokraci vranë frikën, rrëzuan së pari në mendjen e tyre murret e paprekshmërisë së rregjimit komunist, dhe të vendosur në bindjen e tyre se e ardhmja e Shqipërisë duhet të ishte evropiane, sakrifikuan me gjithçka që u desh për ta bërë ëndrën realitet.

Por, për fatin e keq të demokratëve, Partisë Demokratike, dhe gjithë shqiptarëve, përkujtimi sot i kësaj ngjarje të madhe për historinë e Tepelenës dhe të demokracisë shqiptare, u bë në kohën kur kjo parti po kalon momentet më të vështira të historisl së saj 31 vjeçare.

Sot PD është e ndarë për shkak të interesave personale të ish kryetarit të saj, i shpallur për fat të keq person “Non Grata” nga aleatët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që qysh prej disa muajsh, është duke artikuluar një gjuhë urrejtjeje, denigruese, fyese, përçarëse, e shoqëruar kjo dhe me veprime e akte të dhunshme kundër selisë së PDSh dhe demokratëve që janë qartazi kundër rikthimit të tij në krye të saj, pasi qartësisht amerika zyrtare ka deklaruar se me Berishën në krye, ata “do ndërpresin marrëdhëniet me PD.

Pra, me të në krye PD, është e destinuar të mos shkojë drejt pushtetit, por drejt erësirës së përjetshme, ose më mirë, drejt asgjëkundit.

Ndaj, dhe sot, ne u bëmë thirrje demokratëve ta ndahen njëherë e mirë nga e shkuara dhe të bashkohen drejt të ardhmes. Dhe e ardhmja, nuk mund të jetë duke shkuar pas politikanëve të akuzuar për “korrupsion të qënësishëm”, as pas atyre Don Kishotëve që me ushtë e mburojë në dorë, e kanë ndarë mendjen se do luftojnë e do mundin SHBA-të, si ai i Servantesit që luftonte me mullinjtë e erës.. Demokratët nuk mund të shkojnë as pas Sanço Pançove që ia kanë hipur mbrapsht gomarit të politikës duke u bërë gaztorë të Don Kishotit, që ndërsa dje në komunizëm i jepnin vetes të drejtën për të shembur kisha, teqé e xhamija në emër të revolucionit kulturor kinez duke denigruar, burgosur e pushkatuar klerikët më të mirë të vendit, sot i japin sërish vetes të drejtën absolute të shkatërojnë tempullin e demokracisë shqiptare, Partinë Demokratike, të shajnë, fyejnë, e përçmojnë demokratët e thekur në emër të “revulucionit të mbëretit të gjullurdisë”, që për qëllim ka vetëm të shpëtojë veten dhe familjen e tij nga “non grata” amerikane, duke flakur në kosh sakrificat e mijra e mijra demokratëve në tre dekada.

Partia Demokratike e Shqipërisë, nuk ia mbyll derën askujt që beson në projektin e saj të ri, në aleancën me qytetarët për një Shqipëri demokratike, të zhvilluar dhe evropiane në aleancë të qartë me SHBA-të, rendin lidership të demokracisë perëndimore.

Kush ka sy dhe shikon, vesh dhe dëgjon, mendje dhe gjykon, duhet ta braktisë sa nuk është vonë barkën e korrupsionit dhe politikës së vjetër “të foltores” që po mbytet së bashku me kryetimonierin dhe varkarët e saj që i bëjnë fresk plakut ose se kanë ndarë me të para, pasuri dhe pushtet, ose se vërtet besojnë gënjeshtrat e tij se me të në krye të PD-së, do rrëzojë Edi Ramën brenda gjashtë muajsh.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment