Zgjatja e vettingut, KPK përshëndet vendimin: Vijojmë rivlerësimin e gjyqtarëve

0
13

Kuvendi votoi sot me 118 vota pro, 4 abstenim dhe asnjë kundër, zgjatjen e mandatit për organet e vettingut. Vendimi është përshëndetur edhe nga ndërkombëtarët BE, SHBA, OSBE, ambasadori gjerman në Tiranë.

  • Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shprehur mirënjohje dhe falenderime për mbështetjen e ofruar nga ndërkombëtarët dhe vendimin e marrë nga Kuvendi. “Besimi i publikut do të vijojë të jetë udhërrëfyesi i KPK-së në rrugën e nisur drejt garantimit të një sistemi drejtësie të pavarur, të pakorruptuar e sa më të drejtë për qytetarët”, thekson KPK.

Reagimi i KPK:

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dëshiron të shprehë falenderim dhe mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Bashkimit Evropian,  Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Operacionit Nderkombëtar të Monitorimit në funksion të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

KPK falenderon gjithashtu Kuvendin e Shqipërisë për mbështetjen e shprehur edhe njëherë me votë për procesin e vettingut dhe në veçanti për punën dhe angazhimin e Komisionit, duke zgjatur mandatin e tij deri në fund të vitit 2024.

Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar dhe ajo  e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë përbëjnë njëkohësisht një përgjegjësi të shtuar për trupën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të vijuar me të njëjtin përkushtim, profesionalizëm dhe paanshmëri procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përfundimin e tij.

Besimi i publikut do të vijojë të jetë udhërrëfyesi i KPK-së në rrugën e nisur drejt garantimit të një sistemi drejtësie të pavarur, të pakorruptuar e sa më të drejtë për qytetarët.

Shkruaj nje koment