Përgjysmohen prurjet, bien rezervat hidrike në kaskadën e Drinit

0
179

Moti i thatë me reshje të pakta dhe ngrica, që ka karakterizuar këtë dimër, ka ndikuar negativisht edhe në rezervat hidrike në kaskadën e Drinit që furnizon tre hidrocentralet, Komanin, Fierzën dhe Vaun e Dejës, që mbajnë peshën kryesore në prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Duke ju referuar matjeve dhe prurjeve hidrike, aktualisht prurjet dhe niveli i ujit në Fierzë është shumë më pak krahasuar me fundin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, dhe mund të cilësohesh si një nga nivelet më të ulëta për sezonin që nga koha kur kanë filluar punën hidrocentralet. Niveli i basenit duke ju referuar periudhës së lartpërmendur është ulur me gati 7 metra, ndërsa prurjet thuajse janë përgjysmuar, nga 220 metër kub ujë për sekondë në fundin e dhjetorit në vetëm 120 metër kub ujë për sekondë në këtë fillim shkurti. Sipas Korporatës Elektroenergjitike, në HEC-in e Fierzës, aktualisht, po punohet me kapacitet maksimal me 4 turbina.

Por kërkesa e lartë për energji në vend, ka bërë që korporata të importojë edhe rreth 8 mijë megavat orë energji elektrike në ditë. Parashikimet meteorologjike, nuk premtojnë që situata hidrike të përmirësohet as në muajin shkurt, i cili nuk pritet të ketë reshje që mund të ndikojnë në nivelet e baseneve ujëmbledhëse të kaskadës së Drinit.

Çka do të thotë që na pret një situatë e vështirë energjetike, ku pritet të shpenzohen më shumë para për  të siguruar energjinë që i nevojitet vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here