Fillon rishikimi i reformës Administrativo-Territoriale, PD: Do nisin konsultimet me ekspertët dhe qytetarët

Kuvendi miratoi në seancën plenare të së enjtes ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën administrativo-territoriale me një afat 6-mujor, për rishikimin e reformës administrativo-territoriale në vitin 2014.

Sekretari i Partisë Demokratike, Roland Bejko, në një deklaratë për mediat tha se PD vendosi të rishikojë reformën pas reagimeve, raporteve dhe konkluzioneve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri.

“PD ndërmori këtë iniciativë për rishikimin e kësaj reforme mbështetur mbi reagimet e shumta të qytetarëve, raporteve të organizatave jofitimprurëse, raporteve të organizatave dhe institucioneve të huaja, konkluzioneve të raporteve të KLSH, progres-raporteve të BE-së, rekomandimeve të donatorëve të huaja në Shqipëri. Dhe të gjitha së bashku bien dakord se reforma administrative territoriale dhe ligji për vetëqeverisje vendore ka nevojë urgjente për një analizë dhe rishikim të thelluar. Ndaj, me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë përfaqësuesve të saj në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Partia Demokratike e Shqipërisë i bën me dije opinionit publik se brenda pak ditëve merr formë dhe fillon nga veprimtaria një grup pune me ekspertët më të mirë që ajo ka në fushën e qeverisjes vendore, duke kapitalizuar përvojën më të mirë të ish drejtuesve të pushtetit vendor në vite, dhe në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile e botës akademike, do të nisë një tur bashkëbisedimesh në të gjitha qarqet e vendit për të marrë prej qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit gjithë mendimet e vlefshme mbi korrigjimin e gjithçkaje që ka shkuar keq në zbatimin e Reformës Administrativo-Territoriale”, deklaroi Bejko.

Bejko u shpreh se reforma në fjalë rriti më shumë kontrollin dhe varësinë e qeverisë, e veçanërisht kryeministrit Rama, mbi pushtetin vendor, duke e larguar qytetarin nga pushteti dhe qeverisja lokale.

“Pavarësisht se reforma ishte e domosdoshme ajo nuk ka reflektuar plotësisht parimet e kartës evropiane të autonomisë vendore. Në zanafillën e vetë kjo reformë synoi thellimin e decentralizimit, por që në fakt e thelli edhe më shumë centralizimin duke bërë që pushteti vendor të varej kryekëput nga qeveria. U rrit varësia dhe kontrolli nga kryeministri Edi Rama. S’bëri gjë tjetët veçse e largoi më shumë qytetarin nga pushteti dhe vendimmarrja lokale”, tha Bejko.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment