Trudeau zotohet se do të bllokojë llogaritë bankare të protestuesve

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka marrë një hap të pashembullt, duke fuqizuar Aktin për Emergjenca, në mënyrë që të ndalë protestat kundër vaksinimit të detyrueshëm për koronavirus.

Trudeau ka thënë se periudha e zbatimit të masave do të jetë e kufizuar, e arsyeshme dhe nuk do të ketë angazhim të ushtrisë. Pa nevojën e urdhrit të gjykatës, bankat do të mund të bllokojnë llogaritë bankare të secilit person të lidhur me protesta.

Kjo gjë po bëhet për të mbajtur kanadezët të sigurt dhe për të mbrojtur vendet e punës”, ka thënë Trudeau në një konferencë për media.

Ai ka thënë se policisë do t’i jepet më shumë kompetencë për të burgosur apo ndëshkuar protestuesit, në mënyrë që të mbrohet infrastruktura kritike.

Por Shoqata Kanadeze për Liritë Civile nuk u pajtua, duke paralajmëruar se masa “kërcënon demokracinë dhe liritë tona civile“.

Udhëheqësja e protestës së Otavës, Tamara Lich, hodhi poshtë lëvizjen e zotit Trudeau, duke thënë për AP News: “Nuk ka kërcënime që do të na frikësojnë. Ne do të mbajmë linjën tonë”.

Kryeministri i Ontarios Doug Ford, një konservator, tha se ai mbështet qeverinë federale. Por kryeministrat e Quebec, Manitoba, Alberta dhe Saskatchewan thanë se fuqitë e emergjencës nuk ishin të nevojshme në rajonet e tyre.

Përpara njoftimit të zotit Trudeau, Kryeministri i Quebec, Francois Legault tha se thirrja e Aktit të Emergjencave mund të “hedhë vaj në zjarr”.

Protestat vazhdojnë në pjesë të ndryshme të vendit. Në Otava, kryeqyteti i vendit, rreth 400 deri në 500 kamionë janë parkuar në qendër të qytetit për 18 ditë.

Protestuesit gjithashtu kanë bllokuar kalimin kufitar në Coutts, Alberta dhe Emerson, Manitoba.

Të hënën, policia e Albertës arrestoi 11 persona dhe sekuestroi një arkë me armë. Protestat e fundjavës janë zhvilluar gjithashtu në qytete duke përfshirë Toronto dhe Winnipeg.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment