Transparenca e çmimit të karburanteve, si e shpërfilli qeveria rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës në 2015

Rritja e çmimit të karburanteve, kryesisht të naftës e cila kapi nivele rekord brenda 4 ditëve, ngjalli zemërim te qytetarët të cilët u ngritën në protesta prej 9 Marsit.

Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku zhvilluan një takim me furnizuesit e naftës në kuadër të zgjidhjes së situatës. Rama njoftoi krijimin e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburantit, i cili do të administrojë dhe përcaktojë çmimin e tregtimit të karburanteve në treg.

BKAK do të shërbejë edhe si kontrollues në transparencën ditore të çmimeve të shitjes me shumicë.

Problematikat që lidhen me konkurrencën në treg i ka bërë shpesh objekt monitorimesh dhe hetimesh edhe Autoriteti i Konkurrencës. Monitor tregon se në vitin 2015, një hetim i AK evidentoi se të njëjtët sipërmarrës janë të pranishëm thuajse në të gjitha nivelet e tregut duke filluar nga importi , magazinimi, e deri te tregtia me shumicë dhe me pakicë.

Bazuar në problematikat e evidentuara AK, miratoi disa rekomandime për qeverinë ku ndër kryesoret ishte “krijimi i bazës ligjore dhe infrastrukturës administrative të nevojshme, për një njësi të transparencës së çmimit të hidrokarbureve, në të cilën ndërmarrjet që operojnë në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve duhet të njoftojnë në kohë reale brenda 5-15 minutash njësinë përkatëse dhe Autoritetin e Konkurrencës për çdo ndryshim të çmimit të shitjes me shumicë. Sipas Autoritetit të Konkurrencës.”

Ky rekomandim bazohej në praktikat e ndjekura nga institucionet garantë të konkurrencës në vendet e zhvilluara dhe kryesisht të Autoritetit të Konkurrencës në Gjermani.

Rekomandimet e dhëna në vitin 2015 nga AK, nuk u morën parasysh dhe u shpërfillën nga qeveria shqiptare dhe ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Madje ministri asokohe, u shpreh se çështjet në fjalë nuk hynin në punë Autoritetit të Konkurrencës.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment