U refuzua kërkesa për interpelancë me Ramën/ Demokratët: Nëse qeveria s’shkundet, protesta me përmasa më të mëdha

0
47

Seanca e sotme plenare ka nisur me debate pas refuzimit të kërkesës së opozitës për interpelancë me kryeministrin Edi Rama mbi rritjen e çmimeve.

Demokrati Edmond Spaho deklaroi se Rama duhet të ishte sot në interpelancë. Nga ana tjetër kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla deklaroi se ishte pamundësi objektive për të mundësuar interpelancën e kryeministrit në këtë seancë.

Jashtë dyerve të Kuvendit, Spaho tha se nëse qeveria nuk reagon, protestat mund të marrin përmasa më të mëdha.

“Protesta është e domosdoshme. Nëse qeveria nuk shkundet do të vazhdojë në përmasa më të mëdha. Nëse qeveria nuk i gjendet qytetarëve të vet në ditën më të vështirë përse e kemi qeverinë. Të gjitha masat që janë marrë në paketën e qeverisë kanë qenë të parashikuara që në muajin nëntor”, deklaroi Spaho.

Edhe deputeti tjetër i opozitës, Arbi Agalliu kërkoi që të ndryshonte rendi i ditës dhe kryeministri Rama të dilte sot në interpelancë, por kjo gjë nuk është pranuar. Ai tha se masat e marra nga qeveria për të përballuar krizën nuk janë të mjaftueshme.

“Si sekretari i grupit parlamentar të PD jam këtu për të përcjellë shqetësimin si grup parlamentar. Kemi kërkuar në interpelancë Ramën lidhur me situatën ekonomike të vendit tonë. Prej javësh ka rritje të çmimeve, që janë shoqëruar me protesta.

PD ka bërë disa propozimi që nga reduktimi i TVSH. Por këto propozime nuk u morën në konsideratë atë kohë. Ne përballemi sot edhe me abuzueshmërinë e sektorëve të caktuar të ekonomisë.

Qeveria ka propozuar disa masa, për të cilat ne nuk jemi dakord sepse një pjesë e tyre nuk quhen masa sepse kanë qenë të parashikuara në buxhet, të tjerat janë fasada. Unë sot iu kërkova grupit parlamentar të ndryshonte rendin e ditës. Nuk është pranuar. Rama është i detyruar të vijë të paraqitet ose të delegojë një person tjetër  nga kabineti, për ti dhënë shpjegim deputetëve për masat që qeveria ka marrë”, tha Agalliu.

Shkruaj nje koment