Basha reagon një ditë pas dorëheqjes: Rrugëtimi ka qenë i vështirë, me suksese dhe dështime

0
146

Lulzim Basha ka reaguar një ditë pas dorëheqjes, duke iu uruar demokratëve 22 marsin, fitoren e shënuar në vitin ’92. Ai thotë se rrugëtimi i PD-së ka qenë i vështirë dhe me suksese e dështime.

Basha thotë se 30 vite më pas demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike më të bashkuar mbi vlerat mbi të cilat u krijua.

Ai shton se demokratët meritojnë dhe do të kenë një parti të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen.

“30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste. Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë dhe i vështirë, me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane.

Në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit”, shkruan Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here