Qeveria e Kosovës miraton pakon e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë, akordon ndihmë 100 mijë euro për Ukrainën

0
181

Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë mërkurën një vendim për zgjerimin e pakos së sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ky vendim synon që Kosova t’i përshtatet pakos ekzistuese të sanksioneve të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se me këtë vendim, Kosova zbaton edhe “pakon e katërt të sanksioneve të BE-së”.

“Kjo pako konsiston në masa restriktive tregtare, ekonomike, financare, energjetike, industri të mbrojtjes, si dhe ndaj individëve dhe entiteteve shtesë”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se ky vendim po merret për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut dhe duke qëndruar “në linjë me aleatët ndërkombëtarë”.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon fillestare me sanksione kundër Rusisë, më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të pushtimit në Ukrainë.

Përveç sanksioneve, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u mor vendim që të ndahen 100 mijë euro për dërgimin e një kontigjenti të ndihmave humanitare drejt Ukrainës.

Kosova, po ashtu, është zotuar për pranimin e 20 gazetarëve ukrainas, së bashku me familjet e tyre për strehim në Kosovë, duke u ofruar “mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme brenda Kosovës”.

Deri më tani, lufta në Ukrainë ka bërë që miliona njerëz të zhvendosen brenda dhe jashtë Ukrainës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here