Studimi i UNDP: Dhuna ndaj grave politikane e përhapur në partitë shqiptare

0
15

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, publikoi në Tiranë një studim mbi dhunën ndaj grave në politikë. Studimi zbuloi se dhuna ndaj grave shqiptare të angazhuara në politikë është shtrirë gjerësisht në partitë ku ato bëjnë pjesë.

Nga anketimi i mbi 300 personave, kandidatë e kandidate në zgjedhjet e fundit, doli se partitë politike, ku gratë angazhohen, janë burimi kryesor i dhunës ndaj tyre. Gratë politikane të anketuara e cilësojnë dhunën ndaj tyre brenda partive si të fshehtë, komplekse dhe të vështirë për t’u trajtuar.

“Studimi vëren se format e dhunës ndaj grave në politikë nisin nga përçmimi dhe gjuha fyese, ndërprerja e fjalës, tallja, batuta seksiste, akuza të rreme në media, kërcënime, dyshimi mbi aftësitë e tyre, heqja nga listat e kandidatëve të partisë, përfolja e ngacmimi seksual e deri tek përjashtimi i grave nga informacioni” – thotë Marsela Dauti, bashkautorë e studimit.

Gratë e anketuara pohuan se drejtuesit e partive në pamje të parë duket sikur i mbështesin gratë, por i kërcënojnë dhe i diskriminojnë ato larg kamerave. Sipas studimit, mbi 55 për qind e të anketuarve pohuan se i kanë ndeshur shpesh gjuhën poshtëruese dhe lajmet e rreme, të cilat i cilësojnë si ngjarje të zakonshme e jetës politike në Shqipëri. Gjuha poshtëruese dhe lajmet e rreme godasin më shumë gratë sa i takon gjinisë, moshës, statusit social dhe ekonomik.

“Është diçka shqetësuese që një pjesë e mirë, mbi gjysma e personave që morën pjesë në sondazh, e pranojnë dhunën në politikë si një pjesë normale në karrierën e tyre. Gjuha poshtëruese dhe lajmeve të rreme janë format më tipike, që ato kanë hasur, të cilat pasohen nga frikësimi e dhuna, kërcënimi, dëmtimi i pronës dhe dhuna fizike” – tha Geldona Metaj, bashkautorë e studimit.

Gratë politikane të anketuara besojnë se trajtimi i dhunës ndaj tyre në politikë kërkon që partitë të demokratizohen, për të ulur së paku dhunën psikologjike. Ato pohuan se partia u kishte refuzuar grave kandidate mbështetjen financiare, se ishin kërcënuar me largim nga puna për shkak të angazhimit politik.

Sipas studimit të UNDP, zbutja e dhunës ndaj grave në politikë mund të vijë përmes ndryshimeve në ligjin mbi partitë politike, për më shumë të drejta ndaj tyre, ndërsa organizatat e grave dhe institucionet nevojitet të krijojnë mekanizma kundër dhunës politike, që pësojnë gratë pas dyerve të mbyllura të partive. VOA

Shkruaj nje koment