Mbi 60% e qytetarëve i tremben përfshirjes së Shqipërisë në luftë

0
186

Tre në pesë shqiptarë (61,30%) janë të shqetësuar se Shqipëria mund të përfshihet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, si pjesë e aleancës euroatlantike, NATO.

Pjesa më e madhe e qytetarëve të shqetësuar, janë të moshave 45-54 vjeç (74%). Mes të rinjve, më shumë se gjysma e tyre, i tremben përfshirjes së Shqipërisë në luftën në Ukrainë.

Barometri në Euronews i pyeti shqiptarët lidhur me luftën në Ukrainë dhe pozicionimin e tyre lidhur me një përfshirje të mundshme të Shqipërisë.

Pothuajse gjysma e shqiptarëve (48%) mendojnë se Shqipëria është vend i vogël dhe nuk ka përse të ngatërrohet me luftërat e të tjerëve.

Pjesa tjetër e qytetarëve, janë ndarë thuajse në dy pjesë të barabarta mes atyre që nuk janë dakord me këtë pohim (27%) dhe atyre që nuk janë të vendosur (24%).

Shumica e shqiptarëve (61%) mendojnë se vendi ynë duhet të dërgojë ushtarë në Ukrainë, në rast se NATO vendos të ndërhyjë ushtarakisht.

Thuajse dy në pesë shqiptarë (38%) nuk janë dakord që Shqipëria të dërgojë ushtarë në Ukrainë, nëse NATO përfshihet në luftë.

Më shumë se gjysma e qytetarëve (58%) nuk janë dakord që shqiptarët të shkojnë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë. Dy në pesë të anketuar (38%) mbështesin vajtjen si vullnetar në luftën Ukrainë-Rusi të shqiptarëve.

Qytetarët shqiptarë janë thuajse të gjithë (90%) dakord që Shqipëria të presë refugjatë ukrainas, si ndihmë pas pushtimit nga Rusia. Vetëm një në dhjetë shqiptarë nuk janë dakord që vendi ynë të presë refugjatë nga Ukraina.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here