Po shkon drejt plakjes, pandemia dhe emigrimi pakësojnë popullsinë

0
217

Shqipëria pësoi rënien më të fortë të popullsisë në historinë e vet të njohur gjatë vitit 2021, ndërsa numri i vdekjeve u rrit në mënyrë dramatike dhe numri i lindjeve ra. Por rënia u shkaktua në pjesën më të madhe nga vendimi i mbi 42 mijë shqiptarëve që të emigronin.

Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara të premten bëjnë të ditur se në 1 janar të këtij viti, popullsia rezidente rezulton të jetë më pak se 2.8 milionë banorë, me rënie 1.3% nga vlerësimi i popullsisë më 1 janar 2021.

“Gjatë vitit 2021 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative,” bëri të ditur Instat.

“Numri i imigrantëve në vitin 2021 ishte 9.195 persona dhe numri i emigrantëve ishte 42.048 persona.  Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) pësoi një rritje në vlerë absolute, krahasuar me një vit më parë: nga -16.684 në -32.853 banorë në 2021,” thuhet më tej në njoftim.

Më pak dhe më të plakur

Rënia e përgjithshme e popullsisë me 1.3% është vetëm një nga treguesit alarmues të gjendjes së përgjithshme të vendit. Rënia e popullsisë në moshë të re si pasojë e emigrimit dhe rritja e popullsisë së moshuar, si dhe rritja e moshës mesatare të popullsisë janë treguesit e tjerë. Sipas të dhënave të INSTAT, mosha mesatare e popullsisë arriti në 38.2 vjeç më 2021 nga 37.6 vjeç në vitin 2020.

“…raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 22,3 % në 23,1 % gjatë të njëjtës periudhë,” thotë më tej INSTAT.

Gjatë vitit 2021, numri i shqiptarëve që u ndanë nga jeta ishte mbi 30 mijë, rreth 10 mijë më shumë se sa në vitet e zakonshme, besohet për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, si pasojë e sëmundjes COVID-19 kanë vdekur deri më sot në Shqipëri 3495 persona. Kjo shifër shpjegon vetëm pjesërisht shtesën e përgjithshme të mortalitetit në vitet 2020 dhe 2021 kur në Shqipëri rezultoi se vdiqën rreth 17 mijë persona më shumë se sa mesatarja e viteve para pandemisë./ BIRN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here