Perplasja ne kuvend me Alibeajn / Vokshi: Skandaloz reagimi i Yuri Kim apo veprimi i Berishes ?!

0
262

Nga Indrit Vokshi

Juri Kim skandaloze?

I vërsulen ambasadores amerikane duke thënë: “Cfarë ka ajo pse reagon”.

Ruajna Zot të pyesin të revoltuar, çfarë ka Sali Berisha që e shtyn deputetin me duar dhe e largon nga foltorja e kuvendit? A është normal ky veprim? A duhet kështu? A është ky mesazhi i duhur për shoqërinë, për shtetin, për parlamentarizmin, pse jo edhe për imazhin e Shqipërisë? Zero mendim nga kjo anë.

Janë sovranë ata. Na e kujtojnë edhe ne se jemi vend sovran dhe se ambasadorja nuk duhet as të komentojë. Po reagoi ambasadorja, duhet të ngrihemi të gjithë; të bashkohemi me gjobaxhinj mediash, me spiunë shekullorë, me pushkatarë që paguhen për të denigruar dhe t’i tregojmë kufinjt Amerikës sepse populli ynë ndër shekuj.. spo e vazhdoj fjalinë se është shëmti e gjithë narrativa. Është anti-civilizim.

Sovraniteti i këtyre është një gogsimë banale pas buke në një tryezë me miq, gogësime për të cilën nuk kërkojnë as falje.

Këta duan të jenë sovranë për të vjedhur e për të mos u hetuar. Sovranë për të sharë të tjerët. Sovranë për të bërë budalliqe nipi, mbesa, a kushëriri dhe për “ta mbyllur shpejt” çështjen, sepse “i gjejmë mikun” policit, shefit, prokurorit, gjyqtarit..! Se janë tanët.

Janë po këta që na kanë çarë dërrasat 30 vjet duke na cituar deklarata të ambasadorëve, të OSBE, të Departamentit të Shtetit, për të na bindur se ata janë të mirë sepse Amerika dhe BE nxijnë kundërshtarin e tyre.

Po të kishin mendje sovraniste, nuk do t’i citonin të huajt por do të konkuronin me argument sovran e me platformë politike. Janë po ata të cilët kanë shkuar duke negociuar krizat tek restorant Krokodili në Bruksel. Po të ishin sovranistë, nuk do të pranonin. E të tjera e të tjera.

Këta nuk janë sovranistë as në ekonomi, sepse janë gati të shesin gjithçka vetëm për të ndejtur në pushtet. Nuk janë sovranistë as në arsim sepse fjala bie, kanë korrektuar tekstet arsimore sipas kërkesave të të huajve. Janë sovranë vetëm tek pushteti i tyre. Po u preke njerëzit që kanë në shtet, nis rebelimi. Prandaj sovranizmi i këtyre është një gogsimë. Një banalitet.

Kombëtarizmi e sovraniteti janë ndërtuar nga ideologët kombëtarë si mundësi që njerëzit të kishin shtetin komb ku të lëvronin e të lartësonin gjuhën, të mbronin etninë dhe fenë, të përfitonin nga burimet natyrore të cilat ua merrte pushtuesi, të zhvillonin pronën dhe të ndërtonin jetën kombëtare. Ky është kuptimi.

Ambasada Amerikane ka dënuar shtyrjen në parlament të një politikani të cilin SHBA e kanë identifikuar si aleat të tyre, prej një politikani tjetër të cilin e kanë shpallur kundërshtar të interesave amerikane. Kjo sepse Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar Shqipërinë si zonë influence dhe mbrojnë politikanët aleatë.

Kjo është e vërteta: Shqipëria është rrethuar si zonë influence e Washingtonit dhe për 30 vite e kemi pranuar ketë fakt, duke qenë edhe të kënaqur se na dha Kosovën shtet. Pse të bishtnojmë e të bëhemi hipokritë? Nëse tani duam të kthehemi tek fjalimi i Mehmet Shehut i viteve 1960 ku deklaron se “..populli shqiptar nuk njeh zona influence të fuqive të mëdha imperialiste dhe revizioniste”, kjo është temë pastaj.

Por nuk ka asnjë arsye për të nisur një yrysh mediatik kundër ambasadores amerikane vetëm sepse u shpreh në mbrojtje të një politikani partner i SHBA cili u cënua nga një politikan kundërshtar i SHBA. Le të thonë haptas se nuk pranojnë interesat e SHBA. Nuk jam ambasadorofil por nuk mundem të mos komentoj operacione të cilat synojnë minimin e imazhit të aleatit kryesor të kombit shqiptar. Pa dashur të bëhem komik sepse nuk e mbroj unë imazhin amerikan. Ne kemi në dorë vetëm të shprehemi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here