8 dhjetori/Meta:Demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet me çdo çmim!

0
143

Presidenti Meta, pak ditë më parë 8 Dhjetorin, ditën e Rinisë e kishte parashikuar si ditën kur do të zbriste në shesh për të kërkuar një Referendum popullor për ndryshimin e Kushtetutës, por tërmeti i 26 Nëntori përveç të tjerave ka ndryshuar edhe anxhendën politike të tij.
Por, 8 dhjetorin nuk e anuloi Meta, por Gjendja e Jashtëzakonshme në Shqipëri, e cila nuk të lejon tubime e mitingje, apo edhe zgjedhje. Ndërsa sot e ka nisur ditën me një mesazh për të gjithë të rinjtë që janë angazhuar vullnetarisht përgjatë këtyre ditëve për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Ai thotë se ashtu si 29 vite më parë të rinjtë dhe të rejat të marrin në dorë fatet e atdheut për ta udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një ardhmje të sigurtë dhe europianizmit të plotë të Shqipërisë.
“Me mijëra të reja e të rinj shqiptarë, të organizuar vullnetarisht brenda e jashtë vendit që në momentet e para të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore e pabesë që goditi vendin.
Përpjekjet e tyre të palodhura për mbledhjen e ndihmave materiale, fondeve dhe shërbimeve që po i ofrojnë komunitetit ditë-natë, janë sa emocionuese, po aq frymëzuese, dhe shembulli më konkret i Shqipërisë njerëzore për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë. Ndaj sot me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë, emër për emër, çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit.
Jeni të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm! Ju inkurajoj dhe ju mbështes, që në shembullin e të rinjve dhe të rejave, të cilët 29 vite më parë vërshuan në rrugët e sheshet e Tiranës për ta ndarë Shqipërinë nga errësira dhe izolimi, të merrni në dorë, falë shpirtit të lirë, energjisë, guximit, kurajos dhe idealeve të pastra, fatet e atdheut tonë, duke udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë dhe europianizmit të plotë të Shqipërisë.
Nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit ’90! “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet dhe me çdo çmim!”, shkruan Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here