8 Janari, Kulluri: Kurozimi i prishjes së marrëveshjes Berisha-Basha. Bejko: PD ka vetëm një zgjidhje, largimi i Berishës

0
27

Një datë e errët për Partinë Demokratike cilësohet 8 janari, prej sulmit të dhunshëm një vit më parë. Demokratët Edvin Kulluri dhe Roland Bejko thonë për ABC NEËS, se sot PD-ja është më e dobët se kurrë dhe aspak konkurruese në gara elektorale.

“Si sot një vit më parë, kjo seli u kthye në një Kështjellë përplasjesh e më pas në një skenë krimi, për të cilin ende sot nuk ka një përfundim nga organet e drejtësisë.

Këto pamje vështirë se do të harrohen jo vetëm prej demokratëve. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që njerëzit e një partie ta sulmojnë atë, për ta marrë, në mënyrë aspak demokratike.

“PD ka dy data 8, 8 dhjetori, Lëvizja Studentore, dita më e ndritur e PD, dhe 8 janar që është dita më e errët e PD”, deklaroi Kulluri.

“8 janari do të mbetet datë më e zezë e pluralizimit shqiptar dhe vecanarisht të partisë demokratike”, tha Bejko.

Deri në këto momente kishin rrjedhur mjaftë ngjarje që e paralajmëruan një sulm kaq të paprecedentë, Kuvende, referendume, sulme ndaj selisë, që të gjitha nisën pas shpalljes së Sali Berishës non grata dhe përjashtimit të tij nga partia nga Basha. Edvin Kulluri, nje kritik i vjeter i Lulzim Bashes dhe mbështetës i dikurshem i Foltores, e quajti këtë kulmin e një marrëveshjeje që u prish.

“Arsyeja e vërtetë e 8 janarit nuk është politike. Është personale, është kurozimi i prishjes së marrëveshjes oklulte në kurriz të  demokratëve, mes Berishës dhe Bashës. Nuk ka asnjë parimore në atë përlasje”, tha Kulluri.

Dhe pasojat janë të dukeshme. PD sot është më e përçarë se kurrë, me dy grupe që sulmojnë njëra-tjetrën në çdo vend që i bën bashkë, me vulë  që pret vendimin e gjykatave dhe me një fat të paqartë se kush do të mbajë logon e saj, në garën elektorale më të afërt.

“Është hera e parë që një parti e madhe që ka qenë parti pushteti, sot nuk e shikon kush si parti pushteti. Nuk ka për të qenë parti parti pushteti sa kohë do të jetë berisha në krye”

Demokrati Roland Bejko, nuk e sheh aspak PD-në në drejtimin e synuar.

“Ka vetëm një zgjidhje që PD, të bashohet dhe të futet në lojën e konkurrencën politike, është largimi i Berishës dhe hapja e garës”, u shpreh Bejko.

Kjo nuk ka gjasa të ndodh shpejtë, ndërsa Berisha do të futet në testin e 14 majit, ku do të provojë mbështetjen e demokratëve dhe të shqiptarëve, në zgjedhjen e kryebashkiakëve të vendit.

“PD është si ata arbitrat që mbajnë pikët në një ndeshje në të cilët shënojnë vetëm numrin e humbjeve”, shtoi Kulluri.

Shkruaj nje koment