A është Abazoviçi tradhtar apo po bën realpolitikë?

0
41

Nga Sebastian Zonja

A është Abazoviçi tradhtar apo po bën realpolitikë?

Ne si shqiptarë jemi në aleancë me nacionalizmin malazez meqë ai është kundër nacionalizmit serb. Duke qenë se Abazoviçi nënshkroi një marrëveshje me Kishën serbe, që sipas tij ul tensionet, ne nuk na leverdis, sepse fuqizon nacionalizmin serb në Mal të Zi.
Në kuadrin e gjeopolitikës ballkanike ky është konfigurimi.
Marrëveshja Themelore, që me gjasë do të bjerë në Kushtetuese dhe do të kthehet në mollë sherri, përmban këto pika:

  1. Shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi.
  • Mali i Zi nuk ka Kishë Autoqefale të vetën siç ka Shqipëria.
  1. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.
  • Kjo pikë rregullohet me ligj të posaçëm dhe mund të mos realizohet në kuadër të konventave evropiane.
  1. Autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës.
  • Kjo pikë çel debat të fortë për sovranitetin e vendit.
  1. Shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
  • Kjo pikë është e ngjashme me debatin për manastirin e Deçanit në Kosovë.

Në librin e tij “Serbia hyjnore”, Branimir Anzuloviç, akademik kroat, analizon se si Serbia ka ndërtuar mite të forta me ndihmën e Akademisë, Kishës dhe grupeve të intelektualëve në funksion të hyjnizimit të etnisë dhe shtetit serb. Madje, deri në atë pikë sa për Luftën e zhvilluar në Kosovë në vitin 1389 kanë ndërtuar dhe mbrujtur mitin se
kush vdes për Kosovën, siç vdiqën Llazari e Obiliçi, bëhet banor i Serbisë qiellore, hyjnore.
Serbët kanë dy mite të forta që qarkullojnë në nënndërgjegjen e tyre kolektive:

  • Miti i fortë dhe themeltar për rolin prijës të popullit dhe shtetit serb në Ballkan si digë e depërtimit të islamit në Perëndim dhe e depërtimit të katolicizmit në Lindje.
  • Si edhe: ka një konspiracion botëror me Iluminati dhe elita globale, Sorosin, Papën, Mbretëreshën britanike dhe Bildelbergët, që janë kundër shtetit dhe Kishës serbe.

Teoritë për Serbinë hyjnore i kanë zhvilluar peshkopët e lartë dhe patriarkët serbë, duke sendërtuar edhe mite tjera për Vidovdanin, Svetosavljen (shën-savizmin), për kalvarin e vuajtjeve të serbëve ngjashëm me hebrenjtë, apo mite për rezistencën heroike ndër shekuj.

Edhe shqiptarët kanë mitet e veta, por jo kaq të forta sa i kanë serbët dhe nuk luajnë një rol kaq të fort në jetën politike dhe civile sa në Serbi. Sot shohim se kemi kaluar në një recesionim të historisë sonë në Perandorinë Osmane. Jo mbi baza shkencore, por mbi baza të politikës së ditës. Kemi pasur edhe ne deri diku optikën serbo-greke për ta parë atë periudhë, por sot kemi kaluar në këto faza:
në fillim e quajtëm pushtim; pastaj sundim; tani e quajmë bashkësundim (kjo është tezë që e kanë përqafuar boshnjakët në Ballkan për arsye nga më të ndryshmet)… derisa ndonjë ditë të themi se i sunduam ne turqit.
Kur historiografia vishet me mite fetaro-politike si edhe kërkon të ngop orekset politike të momentit, ndërsa zhvishet nga kriteret shkencore, shfaqet e këtillë.

Vlen të sjellim në vëmendje se për bashkëpunimin e serbëve, osmanët e shpërblyen Kishën Serbe me rithemelimin e Patrikanës së Pejës në vitin 1557. Në Perandorinë Osmane, Kisha Ortodokse Serbe gëzonte pozicion të privilegjuar dhe praktikisht ajo përfaqësonte identitetin serb, derisa nuk kishte institucione të tjera shtetërore as kulturore.

Për të ardhur sot, malazezët ndodhen përball një maxhorance nacionaliste që, sipas shumë gazetarëve, ka lidhje të forta me krimin. Ndërkohë, kanë përballë një opozitë të fortë proserbe.

A është Abazoviçi tradhëtar, këtë le ta gjykojë historia, teksa unë i druhem shumë inflacionit të epiteteve antishqiptar, tradhtar, i shitur…

Shkruaj nje koment