A është Mitsotakis rrezik për Shqipërinë?

0
172

Nga Indrit Vokshi – Kyriakos Mitsotakis, është kryeministri i ri i Greqisë. Në një fjalim në Selanik ai ka deklaruar:

“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj evropian”.

Por ne duhet të shohim çfarë e ka shkaktuar ketë dekleratë kërcënuese! E ka shkaktuar akti i qeverisë “Rama” kundër pronave në bregdet. Rama për interesa financiare të Pesëshes që po merr çdo konçesion e pronë në Shqipëri, nxorri akt me qëllim për tua marrë pronat njerëzve “për qëllime strategjike”.

Minoriteti grek në Shqipëri vuri në lëvizje ingranazhet e veta, deri edhe lobin e fuqishëm greko-amerikan në Amerikë të cilët ketë akt të Ramës e bënë alarm në Washington.

Rama e tërhoqi aktin, e fshiu nga çdo faqe online e çdo vend publik. I frikësuar nga grekët. Për të qenë të drejtë, duhet t’i admirojmë grekët në gatishmërinë për të mbrojtur interesat e tyre e të bashkëkombasve minoritare.

Nga ana tjetër duhet të na vijë keq që ne shqiptarët nuk kemi një forcë madhore të tipit “lobi greko-amerikan” për t’i ndaluar diktatorët tanë në grabitjen e dhunën që ushtrojnë mbi shqiptarët. Të ishte për ne, Rama nuk e tërhiqte aktin. Lëvizën grekët dhe e tërhoqi. Paradoks, turp por kjo është e vërteta.

Kësisoji deklerata e Mitsotakis duhet parë në ketë sfond, në ketë kontekst dhe e izoluar në kuadër të një përplasjeje e rreziku për pronat, jo më gjerë se kaq.

Deklerata nuk duhet parë siç e paraqesin televizioni i Unazës së Re dhe portale të ndryshme të cilët e shkruajnë vetëm “Mitsotakis kundër integrimit” dhe kaq. Pa shpjeguar pse dhe në cilin kontekst është lëshuar deklerata. Dhe nuk shpjegojnë gjithashtu, çfarë nuk duhet të bëjë qeveria shqiptare që Greqia me Mitsotakis të mos aplikojë veto mbi integrimin e Shqipërisë.

Duke qenë televizione të Unazës së Re dhe portale të lejeve të ndërtimit, ata kujdesen të mos e informojnë lexuesin shqiptar dhe të mos i shtijnë shqiptarit ndërmend, se Mitsotakis ka kërcënuar me veto planet e grabitjes së pronave. Pra për shkak të Edi Ramës dhe planeve të tij, Shqipëria kërcënohet me veto. Ata kujdesen që të mos dalë fajtor Edi Rama sepse i shërbejnë atij.

Jam krejt dakort që Shqipëria të respektojë të drejtat e çdo minoriteti, përfshi minoritetit grek, sipas konventave europiane e ndërkombëtare për minoritetet. As më pak e as më shumë, vetëm sipas konventave. Sikundër duhet të kërkojmë që edhe Greqia të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Greqi e t’i trajtojë ata në mënyrë të barabartë.

Shqipëria nuk mund të shkaktojë kriza dhe përplasje të dëmshme për interesat shqiptare, thjesht sepse Edi Rama me Pesëshen duan tu grabisin njerëzve pronat për të ndërtuar resorte. Nuk duhet t’i paguajë Shqipëria faturat private të Edi Ramës.

A nëse flitet për interesa kombëtare dhe të drejta të shqiptarëve, Shqipëria duhet të rezistojë.

Si përfundim, Kyriakos Mitsotakis nuk ka shfaqur asnjë armiqësi ndaj Shqipërisë si Shqipëri por vetëm ndaj një plani të Edi Ramës, plan i cili prek edhe minoritetin grek siç prek edhe shqiptarët. Nëse do të shfaqë në të ardhmen, mbetet për tu parë por deri më tash nuk ka shfaqur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here