Aeroporti i Vlorës/ Ambientalistët kritika qeverisë: Po ndërtohet në zonë të mbrojtur

Kryeministri Edi Rama përuroi tre ditë më parë nisjen e punimeve të aeroportit të ri në Vlorë. Të paktën 20 organizata në mbrojtje të mjedisit, janë shprehur kundër fillimit të punimeve me argumentin se nuk janë bërë vlerësimet e duhura mjedisore.

Sipas EURACTIV, ambientalistët e kanë cilësuar një projekt të paligjshëm, sepse do të ndërtohet në në zonë të mbrojtur siç është Zona Vjosë-Nartë, e pasur me bimësi dhe shpendë të rrallë.

Thirrjet e ambientalistëve për ndërprerjen e punimeve vijnë me pretendimet se Studimi i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis nuk ka qenë profesional, nuk është studiuar në mënyrë korrekte bota e Florës dhe Faunës, duke përdorur një terminologji të gabuar e duke mos marrë parasysh veçoritë unike të zonës, ku do të ndërtohet aeroporti.

E diskutueshme është edhe pjesa që i garanton investitorit një kthim pasi kontrata siguron një garanci të të ardhurave deri në 128 milionë euro nga kuleta publike për dhjetë vjet nëse operacioni nuk është fitimprurës.

Ambientalistët pohojnë se leja e ndërtimit u dha pa dalë rezultati i Studimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, dhe makineritë filluan menjëherë punimet. Kjo shkaktoi reagime nga ana e banorëve të zonës përreth dhe ambientalistëve.

Për më tepër, leja e ndërtimit u dha dhe stafi dhe makineritë ishin në terren përpara se të miratohej Vlerësimi, duke shkaktuar shqetësime të mëtejshme për paligjshmërinë.

Fizibiliteti ekonomik i projektit është vënë në pikëpyetje pasi është vetëm 100 km nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, në një vend me vetëm 2.8 milionë banorë dhe një ekonomi prej 13 miliardë eurosh.

Projekti do të ndërtohet me një koncesion 35-vjeçar me vlerë 103 milionë euro dhe do të duhen tre vjet për t’u përfunduar.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment