Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako kërkon të lirohet nga burgu. Ai ka ankimuar në Apelin e Posaçëm masën e sigurisë “arrest në burg” të marrë nga Shkalla e Parë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.
Bllako pretendon se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale prej tij dhe nuk ekzistojnë kushtet ligjore për një masë si ajo e “arrestit në burg”.
Ai akuzohet si i implikuar në aferën e inceneratorit të Fierit. Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 140 milionë lekë të vjetra nga pronari i inceneratorit të Fierit përmes skemave fiktive.
Në dëshminë që dha në SPAK, disa ditë më parë, Bllako e përqendroi narrativen e tij mbi procedurat e ndjekura, ku thekson se në asnjërën prej tyre nuk është shkelur ligji.
Mësohet gjithashtu se Bllako ka folur edhe ne lidhje me kontratën e punësimit të të atit, ku deklaroi se ajo nuk është firmosur nga Klodian Zoto.
Sipas tij i ati e ka prishur kontratën e punës në momentin që është firmosur aktmarrëveshja për inceneratorin e Fierit.