Afganët “në mes të katër rrugëve”, Rama trumbeton mikëpritjen nga SHBA: Turp për vendet që i refuzuan

0
56

Kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i është dhënë një çmim për strehimin e afganëve në Shqipëri. Gjatë mesazhit të tij, Rama e konsideroi të papranueshëm faktin që shumë vende refuzuan të hapnin dyert për afganët. Kryeministri përdori sërish retorikën e tij, duke nënvizuar mikëpritjen dhe traditat e shqiptarëve.

“Më duhet t’ju them, duke qenë se jemi këtu pas dyerve të mbyllura e nuk na dëgjon kurrkush, se ajo çfarë ndjeva përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve ka vetëm një emër: “Turp”.

Shumë njerëz më kanë pyetur: “Pse? Pse do ta bënte Shqipëria këtë? Pse do e merrja unë këtë vendim?” Ndoshta, edhe në këtë sallë ka njerëz që pyesin veten “pse”, si ndodhi që një prej vendeve më të varfra të Europës ishte një ndër vendet e para që u hapi dyert njerëzve, që përpëliteshin mes jetës e vdekjes.

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në historinë tonë, që është një histori mikpritjeje, një histori respekti karshi njerëzve në nevojë, një histori e mishëruar në kushtetutën tonë të parë, kodin e shqiptarëve, ku shkruhet: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Me “mik” nuk nënkuptohej thjesht ai që ftohej, por ai që të trokiste derë, se gjendej në nevojë. Në bazë të këtij kodi, trokitja në derë është vullneti i Zotit dhe ti duhet ta hapësh. Kujtdo që i bie asaj dere i duhet dhënë strehë, kujdes dhe mbrojtje”, tha Rama.

Por situata nuk është kaq perfekte sikurse e paraqet kryeministri. Afganët e strehuar në Shqipëri, po përballen me problematika dhe dëbim, ndërsa ende nuk ka një sinjal pozitiv për largimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara.

Shkruaj nje koment