‘Afganët’ si një rast i artë i Ramës për të ushqyer paranojën e tij me llokma të mëdha lavdie!

Nga Balil Gjini

E mbani mend, besoj, kur Davidi i vogël vendos një gur në hobe dhe me të godet gjigandin Goliath në ballë, i cili bie shundull për tokë. I mbani mend edhe vargjet e Nolit: “se i vogli mund viganin dhe i shtypuri tiranin”. Pastaj s’keni si t’i harroni gjithë përrallat për qerosin që triumfon mbi mbretër e princa. Tani mësoni edhe përrallën më të re: një grup leckamanësh, me motoçikleta të vjetra, mundën Naton me avionë e raketa të sofistikuara. Me ç’duket Amerika ka dashur të na thotë se përrallat janë të besueshme.

Ç’ka ndodhur, në fakt? Krahas korrupsionit të madh qeveritar, i cili ka qenë benzina mbi të cilin u hodh fija e shkrepses, duhet thënë se parimet e demokracisë amerikane dhe europiane janë bërë për të marrë serum në spitalin më të afërt. Ka ndodhur ajo që thotë Adorno: mirëqenia bëhet e keqja e vetvetes. Të velur në parajsën artificiale të të mirave dhe bollëkut, shtetet europiane i kanë balsamosur me livando parimet e mëdha të shekullit të Lumierëve, të Rilindjes: ndihmën dhe solidaritetin me tjetrin, përkrahjen, marrjen e rrezikut mbi sy, kur është e nevojshme. Fytyra e zverdhur e Joe Baedenit, një ditë pas pushtimit të Kabulit, dhe veçanërisht fjalët e tij se ushtria amerikane kishte shkuar në Afganistan për të mbrojtur Amerikën (ndërkohë që talibanët qorronin femrat dhe ua hidhnin mishin e tyre qenve), do të mbahet mend si fytyra e një dezertori.

Po me Edi Ramën çfarë po ndodh? Sëmundja e paranojës i thotë se ky ishte një rast i artë. Arkitekti i Hitlerit na rrëfen se ai nuk e shkrumboi Parisin jo se iu dhimbs, por sepse donte ta kishte si model krahasimi. Një nga tiparet e paranojakut janë tiparet e mëdha, sasia: nëse harku i Triumfit ishte pesë metra, ai do të ndërtonte një tjetër në Berlin që të ishte shtatë, nëse Champs Elise ishte dhjetë kilometra, ajo e Berlinit do të ishte dymbëdhjetë. Thamë që për Ramën ky ishte rasti i artë për ta ushqyer paranojën e tij me llokma të mëdha lavdie. Boll me gazetarucët e vegjël të Klanit, apo Top Chanell (pas mandatës së tretë – duhet ta keni venë re besoj – ai njoftimet që ka për vendin e vet i jep nga Rai, Tv Spanja etj). Të gjitha gazetat e botës do të shkruanin me shkronja të mëdha. “Albania pret një mijë afganë”. Do të shkruante Washington Post, Le Monde, Frankfurt Allemagne Zeitung. Dhe, Albania, në këtë rast, është ai vetë, Edi Rama. Po Shqipëria jonë?, thoni ju. Për paranojakun, më e rëndësishme se atdheu, familja, madje edhe se vetvetja, është nami i tij…

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment