AFRIM KRASNIQI/ Shqipëria politike në një javë

0
139

Nga kërcënimi i parave, heronjve dhe ujit tek ofertat gjysmake të ndryshimit

E hënë, 19 mars. Lajmi kryesor në mediat politike është pasuria e deputetëve në parlament. për herë të parë kemi mbi 10 deputetë me mbi 10 milionë euro pasuri. Disa prej tyre janë “prurje e re”, nga ata që fituan vende të sigurta në listat elektorale, natyrisht për shkak të numrave të tyre të llogarisë. U bë kohë që politika në Shqipëri nuk është profesion i politikanëve. Janë një numër i madh individësh biznesmenë, bodigardë, doganierë, njerëz pa profesion në jetë, etj, që duke fituar besimin e liderit emërohen deputetë në listat proporcionale. Ata nuk janë aty për ndonjë vizion, ide, program apo ideologji. Janë për të bërë më shumë para me rrugë më të shkurtër, me ndihmën e shtetit dhe me taksat tona, për të krijuar status personal e familjar publik, për tu quajtur “dikushi” në historinë politike, pra nuk janë për ne aty, janë për veten, për familjen, për paranë. Dhe janë shumicë, janë të fuqishëm dhe deri tani të paprekshëm. Të hënën pati një lajm në media: Ish presidenti Sarkozi kaloi në arrest për financimet elektorale. Nëse gjyqtari francez do të vinte të gjykonte në Shqipëri do të kishim sot në arrest 90% të parlamentit, 90% të qeverisë, 90% të partive politike. Por ne nuk jemi Francë, sepse “vetëm në Paris blihen lule me para, tek ne i hanë gomerët”. Nuk jemi larg 1936.

E marte, 20 mars. Gjithmonë fëmijët na pyesin për heronjtë dhe gjithmonë më ka pëlqyer t’u flas për heronjtë që nuk jetojmë më. Kanë vdekur por kanë lëmë emër e respekt. Në Tiranë, në Prishtinë e në Tetove kemi një problem të madh: i kemi heronjtë të gjallë, kanë lënë armët dhe kanë veshur kostume, nuk rrinë në male, por në sallone luksoze, nuk numërojnë fishekë por para, nuk japin urdhra me kode por marrin vendime me ligje, parlament e qeveri. Shikoni në Kosovë: të martën në sallën e parlamentit pati 15 prej atyre që zyrtarisht quhen heronj të luftës. Dhe çfarë bënë? Shkëmbyen ca tymuese dhe më pas miratuan heqjen e një sipërfaqe toke nga Kosova. Do marrin vizat si shkëmbim, vizat që i kanë pasur edhe më 1920, edhe më 1960. Heronjtë tanë të gjallë janë ndryshe: duket sikur kanë ardhur nga botë tjetër, flasin e bëjnë ndryshe nga koha e luftës, janë të gatshëm për çdo kompromis, zënë radhën të shiten tek ndonjë fuqi globale, nuk vrasin më për flamur e atdhe, por të vrasin për partinë e mendim kundër. Kosova i dha ca toka, do marrë ca viza, dhe merita është e heronjve të djeshëm që sot nuk kanë më asgjë heroike, as në emër, as në pamje, as në fjalë, as në vendime, as në motivin që i mban gjallë. Nëse heronjtë e djeshëm mendimin për lirinë, të sotmit mendojnë për pushtetin dhe ky është dallim i madh.

E mërkurë, 21 mars. Shkodra është territor shqiptar dhe për ca zyrtarë të lartë e media u desh disa ditë për ta kuptuar. Shkodra është përmbytur nga uji, për të 12 herë në 20 vjet dhe për herë të dytë brenda një viti. Nuk është se Zoti ka mëri me Shkodrën, por se ne i kemi hyrë lumit e detit në shtratin e tij. Mjafton pak shi apo hapje dige në Vaun e Dejës dhe gjithçka përmbytet. Pastaj deja vu përsëritet: ca politikanë shkojnë me makina luksoze e bëjnë ca foto, bëjnë ca statuse në FB, bëjnë ndonjë konferencë shtypi, ca ushtarë ndajnë ndihma, ca ambulanca marrin të plagosurit, qeveria premton ca para dhe kaq. Deri në përmbytjen tjetër. Shqipëria ende nuk ka një strategji apo planveprimi për parandalimin e përmbytjeve, nuk ka investime dhe as buxhet të veçantë. Kur ikën uji askush nuk mendon për ujin e radhës që do të vijë, sepse gjërat në Shqipëri vlejnë vetëm një ditë, e shumta një javë. Përmbytja e Shkodrës ka edhe një tipar konsensual: pushtetin vendor e ka e djathta, pushtetin qendror e ka e majta, një bazë e mirë që palët të mos merren me ujin, por me akuza me njëra-tjetrën. Dhe kulmi i përmbytjes nuk ishte uji dhe as miliardat e humbura, – por mesi i javës kur ca këshilltarë nga ata që duhej të ishin në ballë të gjendjes dhe të mbanin përgjegjësi bashkë me kolegët e tyre për gjendjen dramatike ku ndodhet bashkia e tyre, – na zbuluan se janë më shumë të shqetësuar për rusët sesa përmbytjet dhe e dhanë zgjidhjen, – ndryshuan parti. Por vazhdojnë të jenë të përmbytur edhe me partinë e re.

E enjte, 22 mars.  Imazhi i 22 marsit 1992 kur rreth një milion qytetarë dolën në shesh për të festuar ndryshimin simbolizon shumë. Ata ishin të varfër por kishin shpresa të mëdha. Sot është e kundërta, jemi më të pasur, më të veshur, më të ushqyer, por nuk ka shpresë. Trajektorja nga milionat e shtresës tek milionat që largohen është produkti që elita politike ka prodhuar në këto 26 vjet. Këtë 22 mars disa kritikë oborri e përdorën median për të treguar gjendjen kaotike ku është opozita. Vendi kërkon opozitë dhe ndryshim thanë ata, dhe kanë të drejtë për të dyja. Por në traditën tonë orientale të miksuar me atë sovjetike me ndryshim nënkuptojmë ndryshimin e sulltanit, ikën i riu dhe duhet të kthehet i vjetri. Në fakt, ndryshimi është diçka krejt tjetër, ka të bëjë me vlerat, moralitetin, reflektimin, alternativën, potencialin, besimin, aftësinë, kurajën dhe fillimin e ri, – cilësi që nuk i gjen as sot tek shumë prej zyrtarëve anonime që marrin rrogat në zyrat e PD-së dhe natyrisht as tek ata kundër të cilëve votuan 1 milion shqiptarë më 2013. Kjo nuk është krizë vetëm e opozitës, është krizë e gjithë sistemit politik. Sepse as në PD, as në PS dhe as në LSI apo parti tjetër nuk ka as demokraci, as ide, as vizion, as vullnet për ndryshim dhe as mendje të hapura që pranojnë ndryshimin. Ata, veç e veç ose së bashku kanë marrë peng sistemin, peng shoqërinë, peng qytetarët, peng demokracinë, peng të sotmen dhe nëse i lejojmë më tej, janë të gatshëm të marrin peng të ardhmen tonë. Këtu nis ndryshimi, duke i ndaluar, duke i refuzuar, duke i treguar çfarë mendojmë mbi ta dhe duke ofruar një plan më të mirë për shoqërinë, politikën, shtetin dhe demokracinë.

E premte 23 mars. BE pati lajmëruar se do ndodhte në tetor, pastaj amerikanët e shtynë në nëntor, dy palët paralajmëruan se do ndodh në janar, por në fakt nisi të ndodh vetëm në mars, – me 23 mars 2018. Kjo është ditë me simbolikë historike, sepse është dita kur trupat e vetingut rrëzuan të parin zyrtar të lartë të gjyqësorit. Shkak, pasuria e pajustifikuar e tij. Nuk ka rëndësi fajësia apo jo e tij, ai ka kaluar vite në sistem nuk ka nevojë as për karrierë, as për keqardhjen apo entuziazmin tonë, por ka rëndësi thelbësore mesazhi që përcjell dhe klima që krijohet. Prej 23 marsit askush më, as gjyqtar e prokuror, dhe nesër as politikan dhe zyrtarë, nuk do të mendojë më se është i paprekshëm. Procesi i vetingut nuk reflekton standarde të larta ligjore dhe as demokratike, por përdor mjetet të diskutueshme demokratike për të justifikuar diçka antidemokratike, – korrupsionin e lartë, abuzimin me pushtetin, nivelin dramatik të padrejtësive dhe sistemin e mbyllur të favoreve midis të korruptuarve dhe të paaftëve. Dhe për kaq, vetingu ia vlen, madje ia vlen ta aplikojmë jo vetëm tek gjyqtarë e prokurorë, jo vetëm në polici, por edhe në parlament, në qeveri, në bashki, në administratën publike, në tatime, në dogana, në zyrat e patentave, dhe kudo tjetër, ku gjatë 27 viteve është thënë “ka edhe rrogë”.

E shtunë 24 mars. Doni ta zhvilloni dhe emanciponi një shoqëri? Investoni në arsim. Ka qenë dhe mbetet një devizë e pandryshuar që prej 95 vitesh kur u tha për herë të parë. Sidomos në Shqipëri. Arsimi sot e prej më se një dekade vijon të jetë në krizë të thellë identiteti, vlerash, përmbajtjeje dhe standardesh. Ka shumë shembuj që e ilustrojnë këtë. Revolucion u quajtën përkthimet e teksteve të gatshme britanike e amerikane, por kur i sheh sa pak lëndë mësimore kanë e kupton se në SHBA e Britani 50% e mësimit bazohet në tekste, 50% në laboratore. Ne kemi tekstin, jo laboratorin. Produkti? 50% dije reale. Po në Universitet? Revolucion u quajt ligji i arsimit të lartë 2015. Pas 3 vitesh, shumica e akteve të tij nuk janë nxjerrë ende dhe ndonjë që doli, si ai i kritereve për kualifikim shkencor, është vrasës pa gjyq për universitetet, sidomos për studimet albanologjike, studimet shqiptare, autorët e librave dhe kërkuesit shkencorë. Dhe fundjava u mbyll me lajmin e radhës: në shkollat tona nuk ka vend, p.sh, të aplikohet projekti gjerman i dialogut mbi të kaluarën, apo të stimulohen kultura e votës tek rinia, por ka vend të ndërpritet mësimi dhe të flitet…. për vlerat homoseksuale. “Shqipëria që duam” është slogani i qeverisë!

Shkruaj nje koment