Ahmetaj konfirmoi prishjen e marrëdhënieve, VOA: Rama ‘lan duart’ me ish-bashkëpunëtorët që dalin para drejtësisë

0
147

Në Shqipëri, ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj hodhi poshtë të enjten në mbrëmje akuzat e shumta publike të ngritura ndaj tij për implikim në çështjen e inceneratorëve dhe lidhje me sipërmarrësit që fituan koncensionet për ndërtimin e tyre. Gjatë një interviste në emisionin Opinion në Tv Klan, ai konfirmoi qartazi prishjen e marrëdhënieve të tij me kryeministrin Edi Rama, në kabinetet e të cilit ai shërbeu në pozicione të rëndësishme, duke qenë një ndër ministrat më jetëgjatë dhe më pranë tij.

Një javë më parë po në emisionin Opinion, i pyetur se çfarë po ndodh me Arben Ahmetajn, zoti Rama deklaroi se “kush në ndërkohë gabon rrugë ose i merr koka erë dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë dhe qëllime të tjera, t’i dal për zot vetë pastaj”. Zoti Ahmetaj nga ana e tij, u përgjigj se “nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndihmë”, duke shtuar se “nuk do desha të isha në pozicionin e kryeministrit që të pretendoja të bëja gjykatësin. Një sugjerim, të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm se duhet të njohësh procedurat dhe detajet”.

Ndarja mes zotit Ahmetaj dhe kryeministrit u zyrtarizua në korrik të vitit të kaluar, kur zoti Rama e shkarkoi nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Rindërtimin, ndërsa disa javë më pas e largoi dhe nga funksioni i drejtuesit politik të Partisë socialiste në një nga qarqet e vendit. Ndaj të gjithë ish bashkëpunëtorëve të tij, që kanë përfunduar para drejtësisë, zoti Rama ka përdorur të njëjtin arsyetim se “përgjegjësia është individuale”, duke larë duart me ta. Edhe për këtë pozicionim të tij, zoti Ahmetaj pati një koment kur u shpreh se “nuk jam te historia “është përgjegjësi personale”, se kjo nuk është e para, por e fundit”./ VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here