Albin Kurti kërkon shtim të forcave të KFOR-it në Kosovë

0
149

Përmes një interviste për median gjermane “Die Welt” kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar shtim të forcave të KFOR-it në Kosovë. Sipas kreut të qeverisë një vendimarrje e tillë do të ndihmonte në paqen e gjithë Ballkanit Perëndimor. Më konkretisht ai kërkon shtim të personelit dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s.

 “Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonin sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti. Ndër të tjera Kurti tha se Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje e po ashtu edhe numrin e ushtarëve rezervistë.

“Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqëruajtëse të NATO-s, KFOR, do të mbështeste përpjekjet tona në aspektin e mbrojtjes”, tha Kurti. Aktualisht në Kosovë janë të pranishëm 3800 ushtarë të KFOR-it, prej të cilëve 70 gjermanë. Deklaratat e Kurtit vijnë pas tensioneve në Veri, që duken disi të zbutura pas heqjes së barrikadave nga serbët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here