Albin Kurti për Reuters: Serbia mund të na sulmojë, Kosova e përgatitur

0
554

Kosova është e përgatitur ndaj një sulmi të mundshëm nga Serbia, pasi rritja e tensioneve me pakicat serbe mund të çojë në një konflikt të ri të armatosur, tha kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Reuters.

Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u ndezën përsëri në fillim të këtij muaji kur Prishtina tha se do të detyronte serbët që jetojnë në veri, të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës, të fillojnë të përdorin targat e lëshuara nga Prishtinë,

Situata u qetësua pasi Kurti, nën presionin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, pranoi të shtynte rregullimin e targave të makinave deri më 1 shtator dhe paqeruajtësit e NATO-s mbikëqyrën heqjen e postblloqeve të vendosura nga serbët.

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të shndërrohen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën”, tha Kurti, duke shtuar “Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.

Ai nënvizoi: “Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej…mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”.

Serbët etnikë përbëjnë 5 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë banorë të Kosovës, e cila është 90% shqiptare. Rreth 50,000 serbë jetojnë në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë. 40,000 të mbetur jetojnë në jug të lumit Ibër.

Shkruaj nje koment