ALUIZNI Gjirokastër, KLSH kallëzon Drejtorin, ish-drejtorin dhe 6 specialistë: Ja shkeljet dhe dëmi

Kallëzimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për dëmin 10 milionë lekë pasi kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 14 subjekte, në zonën e përcaktuar në hartën e UNESKOS për qytetin e Gjirokastrës, në pronat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe për objekte ende në procese gjyqësore. Po ashtu, i kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik në vlerën 10,939,624 lekë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit më datë 19.08.2015, ka audituar ALUIZNI-n Gjirokastër për periudhën janar 2013 – tetor 2015. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe çertifikimin e objektit informal (leje legalizimi).

2. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në 4 raste, objektet informale janë pozicionuar brenda zonës së lirë (tampon), të përcaktuar sipas hartës së zonifikimit qytet-muze të Gjirokastrës.

Në 9 raste, objektet informale janë legalizuar në pronat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane,

Në 1 rast, nuk janë zbatuar të gjitha procedurat përkatëse ligjore në legalizimin e objektit informal, duke legalizuar objektin informal, pronësia mbi të cilin ka qenë në proces gjyqësor të papërfunduar.

Në 11 praktika, tarifa e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur në zbatim të nenit 20, të ligjit nr. 9482 datë 03.04.2006 .

Në 142 praktika, KLSH ka konstatuar se për poseduesit e objekteve informale, të cilët janë pajisur me leje legalizimi, nuk janë llogaritur dhe paguar detyrimet për taksën e ndikimit në infrastrukturë.

KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre për Drejtorin TH.M., ish-Drejtorin D.M. të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Gjirokastër dhe për specialistët V.K., Q.L., L.B., N.XH., R,GJ. e B.T., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

SHPËRNDAJE