Ambasadori britanik: Nuk do të bëjmë publike emrat e shpallur “non grata”

0
15

Britania e Madhe ka vendosur të ndërmarrë një regjim të ri sanksionesh për politikanët e lidhur me krimin në Ballkan.

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë për Tv Klan sqaron se ky është vetëm hapi i parë i një serie që do të ndërmerret për të ndëshkuar korrupsionin dhe krimin.

“Ju të gjithë keni parë se ne kemi ndërmarrë masa dhe sanksione kundrejt Rusisë në një fushë të gjerë problemesh që lidhen globalisht me respektimin e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin. Por kjo është specifike për Ballkanin Perëndimor, është për të gjithë rajonin, pasi ka probleme në lidhjet mes krimit dhe politikës.

Ne duhet t’i thyejmë këto lidhje. Ajo çfarë ne do të bëjmë është që të përdorim këtë paketë masash. Ky është vetëm hapi i parë i disa veprimeve që do të ndërmerren. Ne kemi mjete të ndryshme, si për shembull sanksionet kundër korrupsionit, sanksionet financiare dhe ndalimin e emigrimit”.

Ambasadori King-Smith e pohon ndërmarrjen e sanksioneve këtë javë për disa shqiptarë.

“Këtë javë kemi ndërmarrë gjithashtu disa veprime lidhur me çështjen e emigrimit për disa persona shqiptarë të cilët kanë lidhje me botën e krimit dhe korrupsionit”.

Por ndryshe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili i bën publik emrat e personave për të cilët ndërmerr sanksione, duke i shpallur non grata, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të mos e bëjë këtë.

Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i publikojë emrat e personave, ose detajet mbi këto veprime që do të ndërmarrim për arsye ligjore”, tha ambasadori.

Shkruaj nje koment