Arben Ahmetajt nesër i ‘digjet’ mandati pas 6 muajsh në arrati, kush i zë vendin në Parlament

0
77

Pas gjashtë muajsh në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar lidhur me dosjen e incineratorit, nesër në 6 janar ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj i ‘digjet’ mandati i deputetit.

Siç e parashikon Kushtetuta,  Ahmetajt i ndërpritet menjëherë mandati i deputetit pas 6 muajsh mungese në Kuvend dhe një tjetër përfaqësues do të radhitet krahë socialistëve.

 Pas pushimeve të fundvitit, Kuvendi do të duhet të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit dhe të njoftojë KQZ-në me vakancën, ndërsa institucioni i zgjedhjeve të bëjë zëvendësimin sipas rezultateve të zgjedhjeve të 2021 në qarkun e Tiranës, aty ku Ahmetaj u zgjodh deputet me 11.287, duke u renditur në top listën e 5 më të votuarve të PS në këtë qark.

 Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën.

Megjithatë, ka zëra se Bici aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës pritet të mos e pranojë mandatin, kështu automatikisht do i kalojë juristit Plarent Ndreca i cili ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2021, 4008 vota në Tiranë.

Mbi Arben Ahmetajn rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve.

Shkruaj nje koment