Arsimi, kthim dy dekada pas; Rënia në “PISA 2022” shënoi rekord në të gjithë historinë botërore të testit

0
74

Financimet e ulëta për arsimin dhe sidomos pagat e ulëta të mësuesve po çojnë gjithnjë e më shumë nxënës, studentë të dobët, në degët e mësuesisë, duke vënë në diskutim cilësinë e arsimit në vijim.

Rezultatet zyrtare të pranimit në fakultete në vitin arsimor 2023-2024 treguan se, në degën e letërsisë, mesatarja e pranimit të studentëve ishte 6, ndërsa degët e matematikës dhe fizikës rrezikojnë të mbyllen.

Të gjithë vendet me prosperitet ekonomik apo që janë zhvilluar shumë shpejt (Koreja e Jugut dhe Estonia) kanë kryer një reformë të thellë në arsim, që më pak ka shërbyer për të kaluar ekonominë e vendit në një nivel tjetër. Kthimi pas i Shqipërisë në arsim paralajmëron rënie në të gjithë sektorët e tjerë, të cilët prej vitesh janë vënë në vështirësi për profesionistë dhe krah pune.

Kurrikula e re dështoi

Një nga arsyet kryesore të rënies në rezultate në krahasim me vitet e mëparshme në testin e PISA është edhe ndryshimi i kurrikulës në arsimin parauniversitar, thotë Dr. Adrian Naço, nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Matematikës.

Zoti Naço, i cili prej vitesh punon me talentet,  kryesisht në shkenca, tha se sipas treguesve statistikorë në vite, rezultatet më të mira janë marrë në vitin 2018 në testin PISA.

Ky është një tregues se reforma e ndërmarrë në 2017-2018 e në vijim, jo vetëm nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, por ka shënuar  regres në tërësinë e tij dhe veçanërisht në lëndën e matematikës.

Shkruaj nje koment