Ballkani, Fuqitë e Mëdha dhe “Balance of Power”

0
483

Nga Panajot Cakalli

Ballkani, si rajon ka një pozitë shumë të favorshme gjeografike. I shtrirë në hapësirën midis tre kontinenteve: Europës, Azisë dhe Afrikës, nga Ballkani kalojnë rrugët më të rëndësishme tokësore e detare që lidhin Lindjen dhe Perëndimin, Veriun me Jugun.

Natyrshëm ky pozicion gjeografik manifeston rëndësi ekonomiko-politike dhe ushtarako-strategjike për vet Fuqitë e Mëdha. Kjo është edhe arsyeja pse shumë pushtues të ndryshëm janë përpjekur të realizuar qëllimet e tyre sunduese në Ballkan. Këtu mund të përmendim veçanërisht Perandorinë Romake, Bizantine dhe Osmane.

Perandoria Osmane kulmin e fuqisë së saj ushtarake, politike, ekonomike dhe kulturore e arriti në kohën e sulltan Sulejmanit të Madhërishëm. Ekspasioni maksimal territorial u shtri në Azinë Jug-perëndimore, Afrikën Veriore, në territoret rreth Detit të Zi dhe në Ballkan. Ambicia e tij shkoi deri në Vjenë, por u ndal në Budapest. Vjena tashmë, që prej rënies së Konstandinopojës më 1453, ishte shndëruar në një mburojë të re të Qytetërimit Perëndimor përballë furisë osmane, një furtunë e cila mbas afërsisht një shekulli stanjacioni potence, u davarit përfundimisht me disfatën e osmanëve para mureve të Vjenës më 1683.

Ky moment përbën një pikë kthese në historinë e Europës për tri arsye themelore:

1) Së pari, ky ishte fundi i aksionit sulmues të Perandorisë Osmane,

2) Së dyti, ky vit shërben si një tregues tepër sinjifikativ e kuptimlotë i krizës së përgjithshme të sistemit shtetëror osman: në plan politik (absolutizmi sulltanor) dhe në plan social-ekonomik (sistemi feudal-ushtarak i timareve).

3) Së treti, pas këtij momenti, pra të kalimit në pozicione mbrojtëse, Fuqitë e Mëdha si Perandoria Habsburge dhe ajo Romanove Ruse kaluan në pozita sulmi. Traktatet e paqes, respektivisht, të Karlovacit (janar 1699) dhe të Kyçyk Kajnarxhasë (1774), janë prova të qarta të rënies së Perandorisë Osmane si fuqi botërore. E thënë në mënyrë figurative, preja u bë gjahtar dhe gjahtari u bë pre dhe këtu nënkuptohet “trashëgimi osman”.

Fillimisht Austria dhe Rusia punuan së bashku në luftën e tyre përballë Perandorinë Osmane. Në vazhdim interesat e tyre filluan të divergonin, sepse interesoheshin sa njëra e sa tjetra, për të marrë “pjesën e luanit në trashëgimin osman”.

Për Perandorinë Habsburge ekspasioni i saj në veri dhe perëndim (Gjermani), në veri-lindje (Poloni) dhe në jug (Itali) ishte thuajse i çimentuar pas dështimit në Luftën 30-vjeçare(1618-1648), në Luftën për trashëgimin e fronit austriak (1740-1748) dhe me ndarjen e tretë të Polonisë më 1795 mes Austrisë, Prusisë dhe Rusisë. Këto kufij mbetën të pandryshuar deri në Versajë 1919 me rikrijimin e shtetit polak dhe në jug me krijimin e Italisë së Bashkuar më herët. Rrjedhimisht i vetmi ekspasion i mundshëm ishte juglindja-dmth Ballkani- me tri synime kryesore: unitetin e Pellgut Danubian, daljen në Egje dhe zgjerimin e hapësirës adriatike austriake.

Për Perandorinë Ruse, kufijtë e saj nuk ishin dhe aq të çimentuar sa ato të Austrisë. Kështu ajo u zgjerua maksimalisht në të gjitha drejtimet që pati mundësi, në Siberi , Azinë Qëndrore e Lindore, por sidoqoftë nevoja për porte në detet e ngrohta e shtyu atë të hyjë në Luftën e Madhe të Veriut (1700-1721) dhe në kthimin e Baltikut si “liqen rus”, një projekt i ngjashëm të cilin Rusia kërkonte ta realizonte edhe në Detin e Zi me objektiv Konstandinopojën. Kjo duket qartazi në testamentin e Pjetrit të Madh (pika 8). Nevoja për dete të ngrohtë e shtyu drejt jug-perëndimit nën petkun e mbrojtjes së orthodhoksëve. (pika 12).

Nga ana tjetër, Britania e Madhe dhe Franca, si fuqi të mëdha koloniale, ishin më së shumti për pushtimin e deteve se sa të tokave osmane. Njëkohësisht ekspasioni ekonomik për to kishte përparësi mbi atë politik dhe ushtarak të drejtpërdrejtë. Në rastin francez, për vet lidhjet e hershme tregëtare që në kohën e kryqëzatave dhe të kapitulacioneve me perandorinë Osmane që në kohën e Sulejmanit të Madhërishëm. Ndërkohë në rastin anglez, zotërimi i deteve  ishte ajo që i siguronte ekspasionin colonial dhe atë ekonomik në botë.

Pas dështimit të Napoleon Bonapartit në Rusi (1812), Britania e Madhe dhe Franca, filluan të kishin frikë nga Rusia. Çdo avancim i i Rusisë drejt Konstandinopojës, përbënte tmerr dhe panik për interesat franko-britanike. Prandaj dhe ato preferonin më mirë ruajtjen e statusquo-së dhe mbrojtjen e “të sëmurit të Bosforit”, sesa pushtimin e Carinigradit nga rusët. Kjo fobi u duk qartazi në analizën e shkaqeve që historiani Norman Rich bën për Luftën e Krimesë (1853-56), një luftë e cila u shkaktua vetëm nga fobia patologjike e ambasadorit britanik në Stamboll.

Nga ana tjetër, të fundit interesa të Fuqive të Mëdha që do të trajtojmë, janë Gjermania dhe Italia, dy shtete-kombe që u formuan në vitet 60’-70’ të shek.XIX. Bashkimi Gjerman veçanërisht, dhe pak më pak ai italian, prishi balancën e Fuqive të Mëdha. Sigurisht kërkohej një ekuilibër i ri, natyrisht në kurriz të Francës. Për këtë dhe u krijua një sistem i jashtëzakonshëm dhe i komplikuar aleancash me arkitekt Oto fon Bismarkun, objektiv i të cilit ishte izolimi i Francës.

Mirëpo me largimin e tij dhe me mos-përtëritjen e marrëveshjes me Rusinë më 1890, u thye asfiksia ndërkombëtare e Parisit, me oksigjenin diplomatik, politik dhe ushtarak që gufonte nga afrimi franko-rus. Keiser-i Wielchelm-i II ndryshoi kursin ekuilibrues dhe paqedashës të Bismarkut, në atë të realizimit të pangjermanizmit në Ballkan, si thotë dhe Antonio Baldacci, duke përdorur si vegël Perandorinë Habsburge me një tendencë për të dalë në Lindjen e Mesme sipas boshtit Berlin-Stamboll-Bagdat, interesa këto afatgjata që u zbatuan pjesërisht në kohën e pushtimit nazi-fashist të Ballkanit në Luftën II Botërore.

Italia ishte dhe është, më e vogla e Fuqive të Mëdha dhe më e madhja e fuqive të vogla. Në këtë kontekst ajo do të tregojë interes për kolonitë dhe në Ballkan, veçanërisht për Shqipërinë, ku do të ndeshej me interesat habsburgase në këtë rajon. Megjithatë ajo ishte mjaft e dobët për të realizuar ambiciet e saj ekspasioniste dhe këtë e provoi në dy luftëra botërore.

Nga ana e tyre vendet e Ballkanit përveç Greqisë (me Traktatin e Londrës 1830), morën pavarësinë e tyre nga Perandoria Osmane me Traktatin e Berlinit më 1878. Bullgarët, serbët, grekët, rumunët, shqiptarët, malazezët, le të themi nacionalizmat e vjetër në Ballkan, elitat e tyre politike i qëmtonin me shumë kujdes interesat e Fuqive të Mëdha dhe mundësisht për t’i përdorur ato në favor të tyre: shtetet që ekzistonin për shtrirje territoriale, ato që s’kishin entitete politike, për krijimin e shteteve.

Në rastin shqiptar ky përgjithësim demostrohet qartazi në memorandumin drejtuar Lordit Beeconsfild të 1878, ku kërkohej krijimi i shtetit shqiptar si mburojë ndaj pansllavizmit rus. Të tilla parashtrime nuk mund të mos tërhiqnin vëmendjen e vendeve anti-sllave: Britanisë së Madhe, Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilat në fund të fundit u bënë themelueset e Shqipërisë së pavarur më 1913 në Londër. Antonio Baldacci thekson se Shqipëria duhet të jetë tokë e askujt, me argumentin se ekuilibri në Adriatik, mbron ekuilibrin ballkanik dhe ekuilibri ballkanik ruan ekuilibrin europian.

Fuqitë Ballkanike prireshin sa nga më i forti, po aq edhe nga interesat e tyre , psh: Greqia kishte dashur të futej në luftën e Krimesë në krah të Rusisë, por pushtimi i Pireut nga flota franko-britanike u bë pengesë. Me fitoret e Rusisë në luftërat ruso-turke(1877-78) të gjithë popujt e Ballkanit i prirën rusët si çlirimtarë, por rrëzimi i Traktatit të Shën-Stefanit dhe turpërimi i Rusisë në Berlin, i zhgënyen drejtuesit e vendeve të Ballkanit duke i prirur ato drejt Paktit Berlin-Vjenë.

Në Luftën I Botërore, fillimisht gjithë shtetet e Ballkanit ruajtën asnjanjësinë për të parë ku anonte më shumë ekuilibri i forcës, dhe cila aleancë ushtarake plotësonte më mirë interesat e tyre megaloideate. Ballkanasit u vunë në pritje të ofertës më të mirë: Serbia dhe Mali i Zi, që në krye të herës me Antantën, si fillim bullgarët hyjnë në aleancën e Fuqive Qëndrore(1915), Rumania me Antantën (1916), me mos-rinovimin e traktatit me Austrinë, Greqia (1917), pas abdigimit të mbretit pro-gjerman Konstandin dhe triumfit të antantofilisë së kryeministrit Venizelos.

Me fitoren e Antantës, ekuilibri i fuqisë në Europë anoi nga Franca. Në Konferencën e Paqes së Parisit (1919) megaloideatizmat ballkanikë vijonin. Fituesit morrën një pjesë të mirë të shpërblimeve që pretendonin. Kështu u realizua Bashkimi Rumun (pavarësisht faktit se prapë nuk ishin të kënaqur dhe kërkonin edhe Banatin Perëndimor-Vojvodinën e sotme), grekët morën masën dërmuesve të ishujve të Egjeut, Thrakën Perëndimore, humbën Izmirin me rrethinat. Kroatët,boshnjakët dhe sllovenët, nga frika e rivendikimeve italiane në Adriatikun Lindor u bashkuan me Serbinë dhe Malin e Zi për të formuar Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.

Në vitet 30’ duket qartë që Rendi i Versajës qe shumë i dobët. Ndjenjat revanshiste, qeverisjet fashisto-autoritariste dhe ultranacionalizmat e çuan për të dytën herë Ballkanin drejt Boshtit Berlin-Romë të udhëhequr nga Hitleri. Gjatë Luftës II Botërore pushtimin e Ballkanit nga nazi-fashistët u shpërbënë kufijtë e Versajës: u formua Kroacia e Madhe Bullgaria e Madhe, Shqipëria e Madhe. Ndërkohë Rumania e gjeneral Antoneskut, edhe pse një aleate besnike e Reich-ut III u copëtua : Transilvania iu dha Hungarisë, Besarabia Bashkimit Sovjetik, Dobruxha- Bullgarisë. Greqia ishte nën okupacionin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë.

Me fundin e Luftës II Botërore pak a shumë u rikthyen kufijtë e paraluftës me disa cënime të dukshme ndaj Rumanisë dhe Bullgarisë, përkatësisht mbi Besarabinë dhe Dobruxhën. Pas vitit 1945 ndasitë gjeopolitike në Ballkan morrën edhe karakter ideologjik, në përlasjen mes Demokracive Liberale të udhëhequra nga SHBA dhe Bllokut Komunist të udhëhequr nga Moska. Natyrisht këto aspekte ishin diskutuar mes tri të mëdhenjve (Ruzveltit, Churchillit e Stalinit). Takimi i Moskës (1942), tete a tete, Churchill-Stalin ravijëzuan raportet gjeopolitike Lindje-Perëndim në Ballkan sipas formulës 2+2+2. ku në këtë përllogaritje përfshihej edhe Turqia, një raport i cili mbeti i pandryshuar deri në vitet ’90.

 

 

 

 

Shkruaj nje koment