
Në një intervistë të posaçme, Banka e Shqipërisë sqaroi se politika monetare ka hyrë në një cikël normalizimi të orientuar drejt respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, gjë që është shprehur në rritjen e normës bazë të interesit.
Banka vuri në dukje se ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, në funksion të reduktimit të rreziqeve financiare dhe rritjes së hapësirave për manovrim të politikës fiskale
Në këtë kontekst, ne gjykojmë se konsolidimi fiskal bëhet një objektiv edhe më imperativ përballë rritjes së kostove të financimit, argumentoi Banka.
Banka Shqipërisë sinjalizoi në konferencën e fundit me misionin e FMN-së rritjen e mëtejshme të normës bazë të interesit. Qeveria, si një operator i madh në ekonomi, po përballet me kosto të larta të financimit të borxhit të brendshëm. Rritja e interesave të letrave të qeverisë është më e shpejtë se rritja e normës bazë të interesit. Si duhet të reagojë politika fiskale për të mos ushtruar presion në këtë drejtim?
Sikurse kemi theksuar në vazhdimësi në daljet tona publike, politika monetare ka hyrë tashmë në një cikël normalizimi të orientuar drejt respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, çka është shprehur në rritjen e normës bazë të interesit.
Në këtë kontekst, rritja e interesave të letrave me vlerë ka reflektuar, përveç rritjes faktike të normës bazë, edhe pritjet e investitorëve për vijimësi të këtij cikli normalizues në të ardhmen. Ky fenomen është një proces i natyrshëm në tregjet financiare dhe është i pranishëm edhe në vende të tjera.
Banka e Shqipërisë e ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, në funksion të reduktimit të rreziqeve financiare dhe rritjes së hapësirave për manovrim të politikës fiskale.