Basha me operatorët turistikë në Vlorë: Ja plani ynë qeverisë për këtë sektor

0
134

Vlora ka qenë ndalesa e fundit e turit të takimeve të kryetarit të PD, Lulzim Basha.
Ky i fundit zhvilloi edhe një takim me operatorët turistikë në këtë qytet ku u njoh nga afër me problematikat e tyre, kryesisht gjatë pandemisë.
Sipas liderit të opozitës, Vlora është një nga qytetet me potencialin më të madh turistik të vendit, por sot është pa pushues e pa mbështetje.
Reagimi i plotë i Bashës:
Vlora është një nga qytetet me potencialin më të madh turistik të vendit, por sot është pa pushues e pa mbështetje. Qindra të punësuar direkt dhe indirekt janë në sektorin e turizmit. Shumë prej tyre e kanë humbur vendin e punës e të tjerë rrezikohen nëse situata vazhdon të ecë me këto ritme.
Operatorët turistikë të qytetit të Vlorës më treguan shqetësimet e tyre. Pushues nuk ka, taksat e tatimet duhet t’i paguajnë, punonjësit gjithashtu. Maqedonia e Veriut për të mbështetur turizmin vendor u ka akorduar qytetarëve kupona me vlerë 100 euro për t’i shpenzuar në destinacione të ndryshme turistike. Ndërsa RAMAVIRUSI u çon fadromat e gazin lotsjellës për t’iu prishur ndërtimet pa asnjë dokument e për të krijuar hapësira për oligarkët e rradhës.
Sektori i turizmit punëson 93 000 persona dhe në zinxhir, pothuajse, 200 000 të tjerë. Qindra mijëra familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi.
Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet, duke u bazuar në praktikat më të mira botërore. Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor, zhvillojë dhe njëkohësisht të rrisë punësimin me paga dinjitoze.
Taksat e larta që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve do të reduktohen.
Ne do të çlirojmë qytetarët dhe biznesin në përgjithësi nga taksat e larta, duke vendosur taksën e sheshtë 9% që t’iu japim mundësi për të rritur punësimin dhe konsumin.
Ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar konkurrencën e lirë e të barabartë në Shqipëri, duke i dhënë fund politikave klienteliste dhe korruptive, të cilat kanë përthithur deri më sot qindra milionë euro të parave publike.
Ne nuk premtojmë të pamundurën, por paketa ndihme e lehtësi fiskale krejtësisht të realizueshme siç bëjnë dhe vendet tona fqinje që të vendosim barazinë në treg dhe të mundësojmë zhvillim ekonomik për vendin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here