Basha në Gjirokastër: Pushtet për qytetarët, jo për një grusht njerëzish

0
408

Lulzim Basha është ndalur në lagjen Zinxhira në Gjirokastër, ku banorët kanë muaj dhe disa prej tyre vite, pa drita, janë pa ngrohje, ankohen se nuk i lënë as të mbledhin dru në lumë, janë pa punë, skanë me cfarë të ushqehen. Secili prej banorëve të kësaj lagjeve të braktisur totalisht nga qeveria dhe autoritetet, ka një dramë më vete.

“Qeveria ime nuk do harxhojë 80 apo 100 milionë euro në vit për zyra, për orendi, për makina, për karburant, për bileta avionësh siç i harxhon ky. Çfarë i duhet kryeministrit një palmë që e blen 600 euro kur ka qindra e mijëra familje që i vënë fëmijët të flenë pa ngrënë. Në qeverinë time, qëllimi do të jetë të mos ketë asnjë familje pa bukë, pa ujë e pa drita, dhe ne do bëjmë gjithçka që buxheti i shqiptarëve të shkojë në radhë të parë aty ku shqiptarët kanë më shumë nevojë. Familjet në nevojë ekonomike, 200 kilovatët e parë nuk do i paguajnë por do ua paguajë buxheti i shtetit. Kjo do jetë një nga masat që unë do të marr që në ditën time të parë si kryeministër. Paratë e shqiptarëve do të investohen për të hapur vende të reja pune që çdo familje të ketë mundësinë të ketë të paktën 1 të punësuar dhe të mos jenë të varur nga ndihma ekonomike”, u tha Basha banorëve.

Në aktivin e degës së Gjirokastrës, Kryetari i Partisë Demokratike, theksoi mesazhin e hapjes, të bashkimit dhe qendrimit pranë njerëzve. Në kontrast me qeverinë, Basha kërkoi që demokratët ta prekin nga afër realitetin e njerëzve.

“Kjo qeveri është shkëputur tërësisht nga realiteti i qytetarëve, që prej ditës së pare, me vullnetin e saj. Ky kryeministër është izoluar nga hallet e shqiptarëve prej ditës së tij të parë në zyrë. Sot shpresa po vdes për shkak të politikës së papërgjegjshme që po e vret, një politikë që promovon të keqen dhe i thotë ndal të mirës. Ky është instrumenti, ky është çelësi për të thyer ciklin vicioz të tranzicionit, duke i thënë urdhëro, dhe duke i hapur derën të mirës dhe duke i thënë ndal të keqes, brenda vetes tonë dhe pastaj për të gjithë shqiptarët”, pohoi Basha.

Basha vuri në dukje se ndryshimi i vendit, do të ndodhë por kësaj duhej ti paraprijë ndryshimi i Partisë Demokratike.

“Masa kritike e shqiptarëve kërkon ndryshim. Gjendja aktuale është e padurueshme. Partia Demokratike është e bashkuar dhe po bashkohet dhe po hapet gjithmonë e më shumë. Një ndryshim i madh i Shqipërisë nis nga brenda vetes tonë. Na duhet të përmbyllim procesin e kthimit të Partisë Demokratike në një parti moderne europiane perëndimore. Hapja e Partisë Demokratike ndaj çdokujt që do të vijë në këtë betejë e të bashkohet me ne, dhe nuk janë pak, dhe nuk janë vetëm simpatizantë, por edhe ish kundërshtarë që kanë identifikuar të keqen e madhe që kemi përballë. Edhe me afër njerëzve duhet të jemi, edhe më mirë duhet të njohim problemet. Të njohim realitetin që përjetojnë ditë për ditë qytetarët tanë. Evidentimi i plotë i kësaj gjendje është në radhë të parë një instrument i domosdoshëm, për të filluar prej ditës së parë me një buxhet për shqiptarët”, u shpreh Lulzim Basha.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here