Basha : Raporti i OSBE si vule turpi per vjedhjen e zgjedhjeve te 25 prillit

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë për mediat në lidhje me raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të publikuar ditën e djeshme.

Basha tha se dolën ato që ka thënë më herët PD, teksa e cilësoi raportin 25 prillin si vulë turpi për vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit. Ai shtoi më tej se PD ka depozituar 185 padi në SPAK, por vazhdon tradita e pandëshkueshmërisë.

“Ky raport ka konfirmuar atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Konfirmon atë që ne kemi thënë prej ditës së parë, që 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Këtë tani e di gjithë bota demokratike. Sepse ky raport është vula e turpit në vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit.

Vjedhje masive të votave dhe presion ndaj votuesit, e kemi thënë ne e thotë edhe raporti. Shkrirja në një e partisë me pushtetin, e kemi thënë ne e thotë edhe raporti. Keqpërdorimi i aseteve, abuzimet me pushtetin, rritje fiktive e administratës publike, rritje fiktive e administratës e kemi thënë ne e thotë edhe raporti. Legalizime në këmbim të votës, vjedhja e të dhënave personale nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve, e kemi thënë ne e ka zbuluar media, e ka konstatuar edhe raporti. Përdorimi i grupeve kriminale për presion ndaj zgjedhjeve, ndryshimet e njëanshme kushtetuese, ndryshimi i fletës së votimit që solli numër rekord votash të pavlefshme, mbyllja e kufijve.

Kemi depozituar afro 185 padi në SPAK dhe prokuroritë e rretheve, pro në vijim të traditës së pandëshkueshmërisë së dosjeve, asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar. Sot hetimi dhe ndëshkimi i blerjes së votës është një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR. Nuk po fërkojmë duart nga gëzimi se na doli fjala, se ky regjim i ka shpallur luftë demokracisë. Në 25 prill nuk ishte PD që u dëmtua por ishte Shqipëria dhe shqiptarët.

Nuk po fërkojmë duart se na doli fjala. Sepse më 25 prill nuk ishte PD që u dëmtua, por Shqipëria dhe shqiptarët e ardhmja e tyre që mori një goditje të rëndë. Sot shumica dërrmuese e shqiptarëve duan ndryshimin.”, tha Basha.

  • Kryedemokrati u ndal dhe te lirimi i disa prej pjesëtarëve të dosjes “339”, të vjedhjes së votave në Durrës, përkatësisht shtetasve Astrit Avdyli, Jasin Kala dhe Denis Llaftiu, pasi iu përfundoi afati i paraburgimit, ku theksoi se kjo gjë ndodhi ditën ku u kërkua hetimi i krimeve zgjedhore. Basha i bëri thirrje SPAK të ndjekë me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore, si dhe të mos lirojë autorët e dosjes “339”.

“Detyrë e SPAK të ndjekë më përparësi dosjet e krimeve zgjedhore dhe të ndalë ping pong-un. Të mos lirohen autorët e dosjes 339, siç ndodhi dje, por të ndëshkohet kushdo, e në veçanti ortakët e krimit politik, që masakruan çdo standard zgjedhor dhe që zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë.
Gjendemi përpara një paradoksi. Të gjithë ne, opozita, qytetarët, kërkojmë ndëshkimin e krimeve zgjedhore të 2021. Në të njëjtin ditë kur kërkohet hetimi i krimeve zgjedhore lirohen protagonistët e dosjes së Shijakut. Është mision parësor i drejtësisë të bëjë detyrën e saj.

Raporti i ODIHR konfirmoi se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët, as për ata që votuan partinë në pushtet, as për ata që zgjodhën opozitën. Një pushtet që buron nga zgjedhje të vjedhura nuk ofron asgjë përveçse krim, korrupsion, kapje të mëtejshme të shtetit. Kush do ta ndryshojë situatën? Këta që ja falën pasuritë e vendit një grushti oligarkësh, këta që japin çdo qindarkë me PPP për klientët e tyre, duke ja lidhur borxhin në qafë brezit të ardhshëm? Përgjigja është një dhe e vetme: Jo, kurrë! Këta nuk janë zgjidhja, por problemi. Zgjidhja është hapja e rrugës për zgjedhje të lira e demokratike. Ky raport i ndan në mënyrë të qartë palët në këtë përballje, nga njëra anë është regjimi, autorët e masakrës zgjedhore, dhe nga ana tjetër jemi ne, opozita dhe shumica e shqiptarëve, që nuk pajtohen me këtë model shkatërrimtar për vendin dhe të ardhmen tonë”, tha Basha.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment