Basha,Vetingu dhe Revolucioni Permanent i 18 shkurtit

0
388

Nga Panajot Cakalli

Duke u nisur prej datës 18 Shkurt, Lulzim Basha e ka udhëhequr Opozitën drejt një rruge, së paku sikundër ai u zotua publikisht, tërësisht pa kthim pas.

Emri i këtij vendimi të madh është bojkoti. Bojkoti i opozitës, në kushtet e rënda në të cilat ndodhet Shqipëria është i domosdoshëm dhe shtrihet në dy plane: në rrafsh parlamentar dhe zgjedhor.

Bojkoti i zgjedhjeve është tashmë i qartë: sa kohë në pushtet qëndron kjo qeveri, me këtë kryeministër, nuk mund të ketë zgjedhje normale.

E vetmja alternativë në këto kushte është krijimi i një qeverie teknike, apo siç e cilëson Basha i një qeverie të “vullnetit të mirë”, e cila do t’i mundësonte vendit realizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta përmes bashkimit në unison për hir të interesit kombëtar të të gjitha partive politike parlamentare e demokratike, duke përfshirë edhe Partinë Socialiste, minus pseudo-rilindasit.

Në fakt rëzimi i Ramës si kryeministër ndihmon edhe vet Partinë Socialiste duke e shkarkuar nga presionet, autoritarizmi, dhuna dhe çmenduria e udheheqjes së tij demoniake dhe shkatërrimtare.

Nga ana tjetër kemi bojkotin e përkohshëm të parlamentit. Shumë njerëz shprehen se Opozita, Basha, apo Berisha tremben nga Vetingu i famshëm.

Pa dyshim nuk kanë faj. Propoganda qeveritare ka arritur në ekstremet e ekstremeve të shfrytëzimit të kësaj teze.

Në fakt Rama, sikundër është shkatërrues me çdo gjë tjetër qëka në dorë, është edhe me çështjen e Reformës në Drejtësi.

Për metaforë ai e ka përdorur “flamurin e drejtësisë” si pecetë për të shfryrë qurrat e dështimeve të tij si kryeministër. Në këto kushte ky flamur u kthye në një rreckë të pështirosur e të neveritshme, që s’mundet kurrsesi të valvitet krenarisht me ndotjen e madhe që mbart.

Rama dhe gjithë ushtria e skllevërve të tij politikë e mediatikë kanë këmbëngulur se PD-ja tmerrohet nga Vetingu. Po çfarë është vetingu ? Vetingu është i pari ligj i paketës së Reformës në Drejtësi që u miratua më 30 Gusht 2017. Titulli i plotë i tij është:  Ligji 84/2016 PËR RIVLERËSIMIN KALIMTAR TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË.

Ky ligj tashmë ka kaluar në parlament dhe me mbështetjen e opozitës, pasi u reflektuan në të kërkesat e Partisë Demokratike sipas frymës së Kushtetutës së ndryshuar më 22 korrik 2016 të miratuar me konsensus.

Nuk duhet harruar lufta e madhe që pati bërë Basha moskapjen e Sistemit të Drejtësisë nga asnjë mazhorancë.

Me ndryshimet kushtetuese dhe ligjin 84/2016 të 30 gushtit Basha fitoi komisionet ad hoc, kyçe për procesin e vlerësimin e gjyqtarëve dh prokurorëve.

Citoj nenin 9, paragrafin 1 të këtij ligji: “Kuvendi, brenda 10 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes, të cilët përbëhen respektivisht nga: a) 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës; b) 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës” .

Është e qartë se sipas ligjit, komisionet janë të balancuara midis mazhorancës dhe opozitës në raportin 9 me 9 për të dyja komisionet e përmendura në ligj.

Rrjedhimisht lista emërimeve-Rama në Drejtësi bllokohet falë këtij mekanizmi që me mjeshtëri është vendosur në Kushtetutë dhe në ligjin 84/2016, jo për të bllokuar reformën, por për të ndalur kapjen e drejtësisë nga mazhoranca.

Këtu është problemi i Ramës se në përpjekjen e tij për të kapur Drejtësinë është i zënë shah-mat nga kreu i Opozitës.

Megjithatë çdo betejë e fituar përveç sakrificave të panumërta, ka dhe të vrarë. Nuk e kalon kurrkush lumin pa u lagur.

Humbja e vetme e Bashës ishte që këto ligje mund të votohen me 3/5 e votave të Kuvendit.

Por sidoqoftë në lojën e shahut politik shqiptar, me rëndësi është “ruajtja e pozicioneve strategjike” dhe jo ajo e numrave.

Basha është në avantazh, sepse logjika e ftohtë dhe racionalizmi treguan rishtazi se kanë epërsi mbi budallallëkun dhe barbarinë.

Të hënën, më 6 Mars 2017, do të votohen dy projekt-vendime për procedurat parlamentare të ngritjes dhe të funksionimit të komisioneve ad hoc.

Këto komisione nuk mund të ngrihen pa Opozitën, sepse ajo është pjesë integrale e këtij procesi.

Në këto kushte Rama ka vetëm dy zgjidhje: ose të shkelë Kushtetutën dhe ligjin e 30 gushtit duke i dhënë një armë të fortë opozitës për ta çuar atë në Gjykatën Kushtetuese, ose të japë dorëheqjen duke plotësuar kërkesën themelore të Opozitës: krijimin e një qeverie teknike, që do të krijojë kushtet e përshtatshme për zgjedhje të lira e të ndershme.

Këtu pra kryqëzohet nevoja emergjente e vendit për një qeveri të vullnetit të mirë me nevojën e implementimit të reformës.

Në asnjë moment Basha në ligjërimin e tij politik nuk ka qenë kundërshtar i saj, përkundrazi ishte ai i cili e shpëtoi atë nga kthetrat e Ramës.

Po vjen momenti që pas reformës, Basha të na shpëtojë edhe nga vet Rama.

Vetingu po përdoret si gur, detyrë e të cilit është të vrasë dy zogj: së pari të rrëzojë kryeministrin më të dështuar të Historisë së Shqipërisë, dhe njëkohësisht të reformojë sistemin e kancerosur të drejtësisë.

Në këtë kontekst Vetingu dhe Revolucioni Demokratik që nisi më 18 Shkurt nuk janë në kontradiktë me njëri-tjetrin, përkundrazi ato mbështesin dhe plotësojnë në mënyrë të ndërsjelltë dy komponentë themelorë të një Shteti Modern: Demokracinë Liberale dhe Drejtësinë funksionale.

Për këtë arsye, duke konluduar, i bëj thirrje gjithë qytetarëve të mblidhen në Tiranë më 6 mars në Sheshin e Lirisë.

Ndryshime të mëdha mund të ndodhin më 6 mars, miqtë e mi…

Prandaj mos e humbni rastin t’ju shpëtojë nga duart!

Republika e Re po afrohet dhe Rama detyrimisht do largohet.

Koha do e vërtetojë drejtësinë e Arsyes.

Koha erdhi tani !!!

 

Shkruaj nje koment