Bashkë me kontratat konçensionare, borxhi real shkon mbi 83% të PBB

0
152

Misioni i FMN në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Financave deklaroi se detyrimet e prapambetura në fund të 9-mujorit 2018 kanë arritur në 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ne vlera neto kjo shumë është 24.7 miliardë lekë ose rreth 200 milionë euro.

Fondi kërkoi që rritja e detyrimeve të prapambetura buxhetore që nga 2016 duhet të trajtohet pa vonesë. “Parandalimi dhe mbajtja e tyre nën kontroll kërkojnë fuqizim të parashikimit të të ardhurave dhe menaxhimit të likuiditetit dhe përmirësim të sistemeve të kontrollit mbi angazhimet, sidomos nga ARRSH-ja. Rimbursimi në kohë i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) është me rëndësi për të krijuar besim te administrata tatimore dhe te funksionimi i sistemit të TVSH-së” deklaroi misioni i radhës së FMN-së.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka deklaruar se borxhi publik do të arrijë në 69% të PBB-së në fund të këtij viti nga 69.9% që ishin parashikimet fillestarë. Nëse detyrimet e prapambetura do të reflektoheshin në borxh, atëherë treguesi do të ishte në 70.5 % e PBB-së ne fund te 2018.

Nëse do të reflektoheshin edhe kontratat koncensionare tashmë të lidhura me vlerë 210 miliardë lekë ose 12.7% e PBB-së dhe që financohen nga buxheti, borxhi real në raport me PBB-në do të të ishte mbi 83 % e PBB-së.

Rreth 40 për qind e detyrimeve të prapambetura zotërohen nga njësite e qeverisjes vendore dhe pjesa tjetër rreth 10 miliardë lekë i takon TVSH-së së parimbursuar, kryesisht ndaj tre kompanive të mëdha, Bankers Petroleum, Devolli Hydropoëer, dhe gazsjellësi TAP, për të cilat qeveria është angazhuar që t’i kryejë pagesat të shtrira në kohë me këste. Burime nga këto kompani thanë për Monitor se procesi i rimbursimit ka qenë i ngadaltë, ata hasen me kontrolle të vazhdueshme, ku një pjesë e TVSH-së nuk njihet, ndërkohë që shuma e rimbursuar sa vjen e shtohet.

Një pjesë tjetër detyrimesh i takon kompanive private që kanë kontrata me qeverinë për ndërtimin e rrugëve, të cilat në fund të 8-mujorit 2018  kanë arritur ne rreth 2.3 miliardë lekë ose 18 milionë euro. Detyrimet e krijuara rishtazi dhe të prapambetura për investimet janë 1,2 miliard lekë, ndërsa për kontratat e mirëmbajtjes janë 1,1 miliard lek.

Shkruaj nje koment