BE-ja do të vëzhgojë me kujdes zbatimin e liberalizimit të vizave nga Kosova

0
67

Pavarësisht se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën hyri në fuqi më 1 janar, shteti duhet të vazhdojë të përmbushë kriteret për liberalizim, përderisa Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare do të vëzhgojnë me kujdes se si po zbatohet ky proces.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen dhe janë të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në këtë zonë.

Sikurse edhe me shtetet e tjera të rajonit, që për një kohë të gjatë gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza, Komisioni Evropian do të raportojë për gjendjen e zbatimit të liberalizimit të vizave në kuadër të raporteve nga Mekanizmat për suspendimin e liberalizimit të vizave.

Një burim diplomatik i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se ka kureshtje në mesin e shteteve anëtare për të parë se si do të shkojë zbatimi i këtij procesi në rastin e Kosovës. I njëjti burim tha se në çështjet kryesore, Kosova deri me tash ka pasur një performancë shumë të mirë, madje më të mirë sesa vendet të cilat para sajë kishin liberalizimin. Bëhet fjalë kryesisht për numrin e azilkërkueseve të pabazuar dhe gatishmërinë e Kosovës për t’i pranuar personat që dëbohen nga shtetet e BE-së.

Pasi ka nisur zbatimi i vendimit për liberalizim, BE-ja do të monitorojë sidomos numrin e keqpërdorimeve të lëvizjes së lirë, me fokus të veçantë në qëndrimin përtej afatit të lejuar, angazhimin ilegal në tregun e punës dhe angazhimin në veprime kriminale.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

“Presim që Kosova edhe pas nisjes së liberalizimit të dëshmojë seriozitetin në përmbushjen e obligimeve”, tha burimi diplomatik i BE-së.

Prioritet i bllokut evropian për këtë vit do të jetë që Kosova dhe shtetet e tjera të rajonit, të bëjnë më shumë përparim në përshtatjen e regjimit të vizave për qytetarët e vendeve të treta me politikën e vizave të BE-së.

Shkruaj nje koment