Kreu i PD Gjirokastër Roland Bejko ka reaguar ndaj mungesës së ndjeshme të shërbimeve në Bashkinë e Gjirokastrës. Reagimin Bejko, e ka anoncuar në rrjetin social Facebook i shtyrë nga paaftësia e treguar ditëve të fundit nga mungesa e disponibilitetit prej organeve bashkiake në terren, në motin me shira të shumtë ku pati përmbytje. Bejko shprehet se gjirokastritët po shikojnë me sytë e tyre, paralizimin e të gjitha shërbimeve ndaj komunitetit prej Bashkisë së Gjirokastrës dhe kryebashkiakes Zamira Rami. Qyteti i Gjirokastrës, po përballet me kapitullimin total të bashkisë në ofrimin e shërbimit ndaj vetë qytetarëve-shprehet Bejko duke sjellë prova konkrete.
Reagimi i plotë i Roland Bejkos në Facebook.
Ndërkohë që njerëzia është e kapur nga diskutimi për fitoren e Tramp në SHBA, qyteti i Gjirokastrës përballet me kapitullimin total të Bashkisë në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të saj.
1-Shikoni grumbullin e plehrave. Gjendet në hyrje të shtëpisë prindërore të kryetares së Bashkisë Zamira Rami. Mungojnë koshat se në vendin e tyre u ndërtua ky pallat me lejen e saj. Për inerci qytetarët symbyllurazi i hedhin plehrat aty ku më parë ishin koshat si për inat të kryetares.
2-Fotot e kalldrëmit të Varroshit që ka vetëm disa muaj që u rindërtua, është çarë për shtrimin e tubave të ujësjellësit qysh prej një muaj, por ende nuk është mbyllur, nuk është rehabilituar. Shirat e kanë dëmtuar gjithë strukurën e rrugës së çarë duke e thelluar kanalin edhe më shumë. Zhavori ka mbuluar rrugët prej ditësh, por askush nuk po e pastron. Kjo gjendje është në të gjitha lagjet e qytetit. U shkatërruan rrugët, u mbuluan kolektorët e shkarkimit të ujrave nga zhavori i kanaleve të hapura dhe të pambyllura prej muajsh, u shkatërruan makinat nga gropat, u përmbytën nga uji që s’di ku të shkojë e shkon nga të dojë.
3-Betoni i ka bllokuar hyrjen shtëpisë 100 vjeçare të Kallajxhinjve në lagjen Palorto.
4-Ja si hapet një kanal për një riparimin e linjës së ujit të pijshëm në Paris, në një lagje të vjetër pranë Pantheonit. Hapet dhe mbyllet brenda natës pa u bërë barrë e rëndë për jetën e banorëve dhe mjetet motorike të lagjes.
Korrupsioni me fondet publike, ja ku është. Te punimet pa cilësi, jashtë standarteve.
Ik Zamira, jep dorheqjen se nuk e menaxhon dot qytetin.
Gjirokastra do jetë më mirë pa ty !