Bejko: Protesta paqësore, lëvizje e strukturuar deri në dorëheqjen e qeverisë

0
483

Kreu i PD Gjirokastër Roland Bejko, gjatë një konference për shtyp mesditën e sotme, i ka bërë thirrje qytetarëve të Gjirokastrës, t’i bashkohen protestës së nesërme kundër qeverisë Rama. Sipas zotit Bejko, e nesërmja, do të shënohet si një ndër protestat më të mëdha që ka njohur Shqipëria ndërkohë që ka apeluar për egzistencën e një skenari të qartë të vjedhjes së votave nga PS në zgjedhjet e 18 qershorit.

Deklarata e plotë e kryetarit të PD Gjirokastër Roland Bejko.

Nesër, dita e shtunë  18 shkurt do të jetë dita e një proteste nga më të mëdhatë që ka njohur ndonjehere Shqipëria. Protesta paqësore është thirrur nga opozita shqiptare për të demaskuar para qytetarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë skenarin e vjedhjes, blerjes dhe pushtimit të zgjedhjeve me paratë e drogës e korrupsionit nga bandat e lidhura me qeverinë nga njëra anë dhe përdorimit të makinerisë shtetërore nëpërmjet presionit mbi administratën për humbjen e vendit të punës nga ana tjetër.

Skenari i vjedhjes, blerjes, presionit dhe dhjetëra formave të tjera që Edi Rama ka planifikuar ti përdorë në zgjedhje, është denoncuar vazhdimisht jo vetëm nga opozita politike, jo vetëm nga mediat dhe rrjetet sociale, jo vetëm nga qytetarët që shikojnë me frikë, vetë, në zonat ku jetojnë  organizimin e bandave të drogës dhe trafiqeve të tjera, por edhe nga ministra e ish ministra të koalicionit qeveritar, nga deputetë dhe ish deputetë të vetë mazhorancës socialiste si Ben Blushi e Koco Kokëdhima.

Ky skenar është denoncuar me alarm nga partnerët tanë ndërkombëtarë nga Brukseli dhe Ëshingtoni.

Ambasadori Amerikan në Tiranë z.Donald Lu e tha troc se politikanë të korruptuar dhe krimi i organizuar po përgatisin të vjedhin votat në zgjedhjet e 18 qershorit.

Protesta e nesërme e opozitës, është vetëm fillimi i një lëvizjeje pa kthim, për t’ju siguruar shqiptarëve që më në fund, pas një tranzicioni të gjatë të votojnë të lirë, të qetë, pa presion dhe frikë për atë forcë politike që duan.

Prej votës së lirë buron legjitimiteti i qeverisjes. Prej votës së blerë, buron qeverisja e korruptuar dhe jolegjitime .

Dhe si e vetmja garanci për zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike Opozita ka vendosur një kusht: Largimin e Qeverisë Rama, dhe krijimin e një Qeverie Teknike si garante e një procesi zgjedhor të drejtë,të barabartë, ligjor dhe demokratik.

Pa plotësimin e këtij kushti opozita, vështirë se do të marë pjesë në zgjedhjet e njoftuara të 18 Qershorit.

Protestës së nesërme në Tiranë, do ti bashkohen edhe qindra qytetarë të rrethit tonë, Gjirokastrës.

Do të jenë në shesh të gjithë ata qytetarë që me këtë qeveri duan të mbyllin njëherë e mirë hesapet. Ata që duan të clirohen nga taksat e rënda, nga papunësia e lartë, nga varfëria, nga mungesa e shpresës, nga mbifaturimet, nga mungesa e një shtepie ku te futin koken, nga mungesa e shërbimit shëndetësor të korruptuar, shkurt, nesër në shesh do të jenë të gjithë ata qytetarë që duan të shpëtojnë nga mijëra hallet e tyre, duke larguar qeverinë e hashashit dhe të korrupsionit të tenderave publike, për ta zëvendësuar me një qeveri që do garantojë votën e lirë si elementin më kryesor të demokracisë dhe të legjitimitetit.

Prandaj, ju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve që nesër ti bashkohen protestës paqësore e cila do të jetë një lëvizje historike që do na ndajë nga tranzicioni sfilitës, për të na cuar në një fazë të re të zhvillimit të vrullshëm ekonomik nga njëra anë dhe një demokracie të konsoliduar e funksionale nga ana tjetër.

Pra, nesër, hajdeni sa më shumë bashkëqytetarë, ju që doni të ndryshoni jetën tuaj, të ardhmen tuaj bashkohuni me ne.

 

Ju faleminderit !

 

 

 

Shkruaj nje koment