Bejko-qeverisë: Jo dryn Universitetit të Gjirokastrës

0
661

Kreu i PD Gjirokastër Roland Bejko, ka apeluar tek qeveria shqiptare dhe tek institucionet e qeverisjes vendore, për rrezikun që i kanoset qytetit, nga mbyllja e Universitetit “Eqrem Cabej”. Zoti Bejko, zgjodhi si sfond për të dhënë deklaratën e tij për shtyp, godinën e ish ushtarakëve e cila ishte planifikuar vite më pare me vendim të Këshillit të Ministrave, të shndërrohej në një aneks shtesë për studentët e universitetit, ndërkohë që politikat e qeverisë së sotme karshi arsimit të lartë, e kanë eklipsuar projektin e rigjenerimit. Kreu i PD, ka denoncuar dështimin e politikave arsimore të qeverisë Rama me ligjin per arsimin e lartë, ku eshte e dukshme qe jane favorizuar universitetet private në dëm të universiteteve publike. Vetem 300 studente jane regjistruar ne diten e pare te procesit mesimor nga 1150 te planifikuar.

Më poshtë deklarata e plotë e kryetarit të PD Gjirokastër, Roland Bejko.

Kjo godinë, ishte planifikuar për t’u ndërtuar si një pjesë e Universitetit “Eqrem Cabej” me një vendim të Këshillit të Ministrave në qershor të vitit 2011 nga qeveria Berisha, ku i’u hoq nga administrimi Ministrisë së Mbrojtjes si Shtëpi Ushtarake duke i kaluar në dispozicion universitetit e shoqëruar kjo edhe me një paketë financiare me një investim prej 670 milionë lekë. I bie që në këto  tre vjet me radhë, kjo godinë duhet të kishte mbaruar nga puna dhe sot ne para saj do t’ju uronim studentëve dhe pedagogëve një fillim të vitit të ri universitar. Por nuk mundëm ta bënim këtë gjë sepse qeveria e zotit Rama, në shtator të këtij viti me një vendim të Këshillit të Ministrave, i’a ka hequr administrimin Ministrisë së Arsimit, duke i’a kaluar një agjencie shtetërore për ta përdorur për shërbime dhe për administratën e fryrë të saj.

Fakti që qeveria shqiptare ka shkurtuar edhe buxhetin e Ministrisë së Arsimit të Lartë me rreth 88 milionë lek të reja dhe fakti që universitetet private sot në këtë ditë që flasim janë mbushur me kapacitetin e tyre të plotë të parashikuar nga qeveria shqiptare ndersa universitetet publike sic është dhe Universiteti i Gjirokastrës, kanë  shume vende bosh. Vetëm 300 studentë jane rregjistruar  deri sot nga 1150 që ishte parashikuar të merrte ky universitet. Kjo tregon që politikat e qeverisë shqiptare nuk shkojnë në favor të universiteteve publike por ne favor te universiteteve  private. Edhe një herë kjo dëshmon dështimin e qeverisë shqiptare me reformën e arsimit të lartë e propaganduar me të madhe dhe e mbrojtur me zjarr e pathos nga Kryeministri.

Jemi në kushtet kur Gjirokastrës rrezikon t’i mbyllet universiteti, me kete rast mund t’i hiqet një aset i jashtëzakonshëm i rëndësishëm dhe jetik për qytetin. Mesa duket politikat e qeverisë janë të tilla që në  vend ta zhvillojnë universitetin në qytetin e Gjirokastrës, t’a zgjerojë atë, t’i rrisë kapacitetin, duket sikur do t’i ngushtojë hapesirat deri në mbylljen përfundimtare të tij, eee ky është lajm i keq.

I bëj thirrje pushtetit vendor tëGjirokastres, Prefektit, të gjithë institucioneve, qytetarëve, studentëve, të reagojnë për këtë ceshtje dhe t’i kërkojnë qeverisë edhe një herë rikthimin e kësaj godine në dispozicion të universitetit.

Në politikat e veta të cilën do t’a bëjë realitet në qeverisjen e ardhshme Partia Demokratike do te bejë cështë e mundur që disa degë të universitetit dhe departamente të caktuara,  të vendosen në zonën historike me qëllim gjallërimin dhe jetëzimin e kësaj zone nga prezenca e të rinjve studentë që do t’i japin më shumë alegri qytetit.

Politikat  zhvillimit të turizmit te këtij qyteti, do të jenë të dështuara, nëse mbyllet universiteti.

Unë gjej rastin që t’ju uroj sot studentëve që janë prezent në Universitetin e Gjirokastrës, gjithë pedagogëve dhe kolegëve të mi, një fillim viti të ri shkollor të suksesshëm dhe me sa më pak probleme.

Pyetje nga Gazetarja: Si e shpjegoni numrin e paket te studenteve te regjistruar?

Pergjigje : Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në rënien e numrit të studentëve duke filluar qe me cilësinë e mesimdhenies ne universitet apo edhe arsye të tjera te cilat nuk dua  t’i numërojmë sot, por eshte fakt qe janë kuotat më të ulëta në të gjitha vitet e egzistences se tij si Universitet. Edhe u zhvillua një diskutim i madh publik në të gjitha nivelet, në nivel akademik dhe publik të qytetarëve dhe studentëve, ku kjo reformë kishte nxjerrë si prioritet të saj, rritjen e numrit të studentëve te universitetet publike në raport me numrin që shkonin në universitetet private, kjo nuk ndodhi. Ndaj themi që në këtë pikë qeveria ka dështuar, ka favorizuar universitetet private. Eshte fakt që universitetet publike, kanë numrin më të ulët të studentëve sot jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Tiranë ku asnjëherë në të kaluarën, nuk ka ndodhur që degë preferenciale si mjekësia, ekonomiku, juridiku e të tjera, të kishin një numër kaq të ulët studentësh të rregjistruar. Duhet të theksoj faktin se një pjesë e mirë e studentëve të ekselencës por edhe ata mesatarë, kanë aplikuar dhe jane regjistruar me pare  në universitetet e vendeve fqinje dhe në ato europiane, sepse e kanë pasur më të lehtë rregjistrimin tek degët që preferonin dhe jo në degët e planifikuara nga qeveria si në kohën e komiteteve egzekutive sic ndodh sot. Për tjetër studion maturanti, tjetër ka planifikuar për jetën e tij, tjetër ëndërr ka ndërtuar dhe në tjetër drejtim e con qeveria. Njësoj si në kohën e komiteteve egzekutive kur ishte partia ajo që vendoste se ku duhet të studioje ti dhe jo prirjet apo ëndrrat e tua.

Ju faleminderit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here