Bejko: SHBA i futi një “shpullë” Berishës, Basha është i përzgjedhuri

0
149

Roland Bejko, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe sekretar për Pushtetin Vendor e Decentralizimin u shpreh mbrëmjen e djeshme në “Log” se Lulzim Basha është i përzgjedhuri i Amerikës. Ai tha se më tej se Edi Ramës do i interesonte që të kishte përballë ish-kryeministrin, pasi ky i fundit është shpallur “non grata” dhe i izoluar plotësisht dhe në këtë rrugë kërkon që të fusë edhe PD-në.

“Berisha është “non grata”, tërësisht i izoluar. Edhe sikur të marrë të gjithë PD-në është i izoluar. Basha është i përzgjedhur nga SHBA. Nga fuqia e madhe. Është i përzgjedhuri nga fuqia e madhe. Do ta shikojmë.

Në momentin që je burrë shteti, faktor i jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe rajon, prandaj duhet të shikojë për përgjegjësinë përtej vetes. Problemi është te dëmi që i shkakton PD-së, në momentin që superfuqia, aleati jonë SHBA, ai (Berisha) del dhe sulmon ambasadoren amerikane me lloj lloj epitetesh…

DASH doli dhe i futi një “shpullë” zotit Berisha që ambasadorja amerikane përfaqëson SHBA-në dhe qëndrimet e saj janë qëndrimet tona. Cfarë borxhi i kemi ne që na vendos në këtë lloj raporti? Ai instrumentalizon demokratët, se i duhet partia për t’u thënë amerikanëve se nuk më “nxirrini dot nga tryeza” deklaroi Bejko.

Por cfarë do të bëjë grupi i Berishës me kërkesën e SHBA-BE-së për zgjatjen e afateve të komisioneve të vettingut? Ish-kreu i FRPD-së, aktualisht deputet demokrat në krahun e Sali Berishës, Belind Këlliçi tha se përpara se të vijë kërkesa në parlament duhet të ketë një analizë të thellë për punën e institucioneve të verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Kjo është përtej Bashës dhe debatit të brendshëm. Unë i qëndroj qëndrimit të parë, cfarë ka prodhuar reforma në drejtësi dhe këto organe? Duhet bërë një bilanc pune, nuk duhet shkuar qorrazi edhe pse kjo kërkesë vjen nga SHBA-BE dhe është një nga kushtet për të hapur negociatat, por nuk duhet shkuar apriori, pa parë një bilanc. Nuk jam pro votimit vetëm përse na e kërkojnë partnerët. Nëse diçka është bërë gabim duhen analizuar shkaqet. Duhet transparencë për opinionin publik” tha ai.

Edhe Bejko, që është pro Lulzim Bashës ishte i të njëjtit mendim. “Nuk e njoh si çështje, por personalisht, mendoj që duhet të kalojë në një filtër dhe në analizë. Duhet korrigjuar diçka që nuk ka funksionuar dhe të ecë përpara reforma në drejtësi. Kompromiset politike nuk duhet të jenë pazare politike” deklaroi ai.

Në fund të emisionit Bejko tha se është kërcënuar me jetë. “Belind e di ti sa kërcënime për jetë më vijnë mua nga demokratët? Punizmi është mes nesh” i tha ai, deputetit demokrat. “Berisha i ngop demokratët me gënjeshtra për t’i mbajtur afër” e mbylli sekretari i pushtetit vendor të PD-së.

/ Abcnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here